Ish-drejtori i Kadastrës Vlorë Klodian Troci del para gjykatës për masën e sigurisë. Në mungesë, gjykata i ka caktuar Trocit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, e cila do t’i komunikohet sot.
Kujtojmë se ish-drejtori i Kadastrës Vlorë u arrestua mbrëmjen e së dielës pasi akuzohet për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”.
Sipas policisë gjatë kontrollit të banesës në Tiranë atij i është gjetur një shumë e madhe parash prej 65.000 Euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës. Arrestimi i ish drejtuesit të Kadastrës në Vlorë erdhi pas hetimeve disa javore të kryera nga Prokuroria e Vlorës për tjetërsimin e pronave në bregdetin jugor.