Ka nisur orari zyrtar i protestës, ndërkohë që policia e cila zbriti e para në terren ka nisur me kontrollet. Gazetarja Ema Shazivari e cila është pozicionuar në sheshin “Skënderbej”, nga ku është njoftuar se do të nisë marshimi raporton se kanë nisur edhe kontrollet e para.
Siç shihet nga pamjet efektivë të uniformave blu kanë filluar të bëjnë verifikimet. Adoleshentët që ndodhen në shesh janë kontrolluar nga policia nëse kanë mjete piroteknike.
Ndërkohë ka nisur edhe grumbullimi i protestuesve, të cilët do ta mbajnë sot protestën e gjashtë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Klodian Rashës.
Ndërkohë, pak orë më parë, Policia e Shtetit bëri të ditur me anë të një njoftimi për media se nuk do të tolerohet asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.