Shtetet e Bashkuara thonë se dy aeroplanë luftarakë kinezë kanë ndërmarrë një interceptim “të pasigurt” kundër një aeroplani vëzhgues të ushtrisë amerikane mbi Detin Jugor Kinez.
Pentagoni tha se incidenti ka ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare më 17 maj, teksa aeroplani amerikan ndërmerrte fluturim rutinor në atë hapësirë.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se aeroplanët kinezë kanë mbajtur distancë të sigurt nga aeroplani amerikan, për të cilin thonë se ka fluturuar afër ishullit-provincë të Kinës, Hainan.
Kina u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i ndalin aktivitetet e vëzhgimit.
Ky incident ndodhi një javë pasi Kina ka aktivizuar aeroplanët luftarakë, teksa një anije e marinës së Shteteve të Bashkuara i ishte afruar një shkëmbi nënujor kontestues në Detin Jugor Kinez.
Disa shtete, përfshirë Kinën, Tajvanin, Vietnamin, Filipinet, Malajzinë dhe Brunein, pretendojnë territor në këtë rajon.
Aktualisht janë shtuar tensionet, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina akuzojnë njëra-tjetrën për aktivitet të shtuar ushtarak në rajon.