Bllokimet, ora policore dhe kufizimet rajonale po vendosen në të gjithë Europën për të luftuar një rritje të rasteve të koronavirusit,raporton euronews.
Çfarë po ndodh në vendet kryesore në të gjithë kontinentin?
Republika Çeke: Epiqendra e koronavirusit në Europë?
Republika Çeke ka regjistruar një mesatare prej 12,000 rastesh të reja ditore gjatë javës së kaluar. Ka përqindjen më të lartë të vdekshmërisë në BE brenda periudhës 14 ditore të Covid-19, me 14.1 vdekje për 100,000 njerëz. Po kështu ka nivelin e dytë më të lartë të vdekshmërisë nga Covid-19 në Europë, pas Belgjikës.
Qeveria është përgjigjur duke mbyllur disa biznese, shkolla dhe ka kufizuar tubimet publike. Ushtria ka ngritur një spital me 500 shtretër në Pragë.
Belgjikë: Një nga nivelet më të lartë të vdekshmërisë
Belgjika u bë vendi i fundit europian që njoftoi kthimin e masave të rrepta kufizuese të premten. Bizneset jo-thelbësore u mbyllën, punonjësve u tha që të punonin në distancë kudo dhe pushimet shkollore u zgjatën me tre ditë deri në 15 nëntor. Kryeministri Alexander De Croo njoftoi masat e reja, të cilat do të fillojnë të hënën dhe do të qëndrojnë në fuqi për “të paktën një muaj e gjysmë”. Ai i quajti rregulloret “masa të shansit të fundit” në përpjekje për të ngadalësuar pandeminë në Belgjikë.
Raporti i vdekjeve për 100,000 banorë është 95,42 – e treta më e larta në botë, sipas Universitetit Johns Hopkins. Numri i rasteve është rritur gati 200% gjatë 14 ditëve të mëparshme ndërsa viktimat janë rritur me mbi një të tretën, referuar shifrave të Santé Publique Belgique, transmeton abcnews.al
Në Belgjikë janë vendosur ndalimet për aktivitetet gjatë natës; baret, kafenetë dhe restorantet janë detyruar të mbyllen ndërsa tubimet shoqërore janë shumë të kufizuara. Udhëtimi midis rajoneve është gjithashtu i kufizuar.
Situata është aq e keqe në një spital në Liege, saqë infermierëve u është kërkuar të vazhdojnë punën edhe nëse rezultojnë pozitivë me Covid-19.
Francë: Macron vendos karantinën edhe një muaj
Vendi është futur në një bllokim të dytë kombëtar të premten dhe do të zgjasë deri më 1 dhjetor. Të gjitha dyqanet jo-thelbësore janë mbyllur sërish. Njerëzit do të duhet të plotësojnë një formular për të justifikuar daljen nga shtëpia, por shkollat, fabrikat dhe punimet e ndërtimit do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura.
Presidenti Emmanuel Macron tha se ishte e nevojshme të frenohej numri në rritje i rasteve që kanë tejkaluar “edhe parashikimet më pesimiste”. Ai shtoi se deri në 50,000 njerëz po infektohen çdo ditë dhe se 3,000 nga 5,000 shtretërit e Njësisë së Kujdesit Intensiv të vendit janë të mbushura nga pacientët e Covid-19.
Deri më tani mbi 1.2 milion njerëz janë infektuar me Covid-19 në Francë dhe më shumë se 35,700 kanë humbur jetën.
Gjermani: Bllokim i ri i pjesshëm për të shmangur një emergjencë shëndetësore
Gjermania u pa si model në pranverë për metodën e saj të shpejtë dhe agresive të gjurmimit të kontakteve e cila u vlerësua se mbajti nën kontroll numrin e vdekjeve në vend. Por infektimet në rritje e kanë shtyrë qeverinë të njoftojë një bllokim të pjesshëm nga 2 nëntori. Baret, kafenetë dhe restorantet janë ndër bizneset që do të mbyllen në të gjithë vendin. Kancelarja Angela Merkel tha se masa ishte “për të shmangur një emergjencë shëndetësore kombëtare”.
Itali: Rritje shqetësuese e rasteve
Qarku jugor ishte i pari në Europë që vendosi një bllokim lokal dhe më pas kombëtar në fillim të marsit për të ndaluar përhapjen e shpejtë të virusit. Tani, mes një rritjeje “shqetësuese” të infeksioneve, kryeministri Guiseppe Conte ka vendosur masa të reja, duke përfshirë ndalimin e aktiviteteve të orëve të natës dhe mbylljen e kinemave, teatrove, palestrave dhe pishinave.
Kufizimet e reja u pritën me zemërim me protestat që shpërthyen në Romë. Numri i të vdekurve është i dyti më i lartë në Europë pas Mbretërisë së Bashkuar.
Polonia: Stadiumi kombëtar kthehet në një spital fushor
Ushtarët po mobilizohen për të kryer testimet e Covid-19, kështu që profesionistët mjekësorë mund të përqëndrohen në ndihmën e pacientëve ndërsa hapësira të tjera, përfshirë Stadiumin Kombëtar të Varshavës, po shndërrohen në spitale.
Baret dhe restorantet janë mbyllur dhe tubimet me më shumë se pesë persona janë ndaluar.
Spanja: Gjendja kombëtare e jashtëzakonshme
Autoritetet në Spanjë shpallën një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare në fillim të javës që do të zgjasë minimumi 15 ditë, por mund të zgjatet deri në gjashtë muaj, për të cilën kryeministri Pedro Sanchez tha se ishte koha “e nevojshme për të kapërcyer fazën më të dëmshme e pandemisë”.
Ndalimet e aktiviteteve të natës janë vendosur në të gjithë vendin dhe udhëtimi midis rajoneve nuk këshillohet aspak. Vendi u godit fort dhe shpejt nga vala e parë dhe u vendos një nga bllokimet më të rrepta. Më shumë se 1.1 milion njerëz janë infektuar me Covid-19 në Spanjë që nga fillimi i pandemisë, transmeton abcnews.al
Suedia: A e ka ndihmuar strategjia e saj?
Suedia, strategjia e të cilës mori kritika gjatë valës së parë sepse shmangi bllokimin e rreptë, tani po u bën thirrje njerëzve që të shmangin dyqanet dhe transportin. Megjithatë strategjia e ka ndihmuar Suedinë që të shmangë “lodhjen nga Covid-19” e cila vihet re në shumë vende të rajonit, ku njerëzit raportojnë se “janë të lodhur nga masat kufizuese”.
Mbretëria e Bashkuar: Kufizimet rajonale nuk arritën të ndalojnë rritjen e rasteve me Covid-19
Për të ngadalësuar valën e dytë që aktualisht ka përfshirë vendin, qeveria ka ngritur një sistem me shumë nivele, me zonat lokale të detyruara për të zbatuar kufizime të caktuara, në varësi të situatës epidemiologjike. Qeveria është kritikuar për mënyrën e trajtimit të situatës. Të shumtë janë ekspertët që kërkojnë masa më të rrepta. Studimet tregojnë se më shumë se 100,000 njerëz janë duke u infektuar me Covid-19 çdo ditë në Angli.