Nga Albert Gjoka
Sot dua t’iu tregoj tri histori që m’u mblodhën bashkë, si rastësisht, shuk në grykë dhe që nuk mund t’i kapërdija prandaj po ua tregoj edhe ju. Janë paksa të gjata por kini pak durim sepse janë të vërteta:
I
Para pak ditësh mora vesh se Bashkia e Tiranës kishte hequr nga puna një punonjës biblioteke lagjeje në kryeqytet, të cilin kisha filluar ta njihja disi mirë që kur nisa të frekuentoja atë bibliotekë të lënë në kthinat e harresës nga të gjitha bashkitë (përfshirë edhe atë të Erionit); nën pushtetin e pluhurit dhe blozës ideologjike, nëpër rafte të cilave nuk iu është shtuar asnjë titull që në kohën që ka rënë komunizmi. Mbase mund të ketë hedhur ndonjë donator ca pak kacidhe për libra të dalë boje.
Me sa mora vesh, dy inspektorë të tipit “inteligjent servis”, të llakosur, e paskëshin vëzhguar mirë e mirë punonjësin e bibliotekës dhe nuk e paskëshin gjetur në zyrë gjatë orarit zyrtar të punës. Pa procesverbal dhe pa shkresa, atij ia paskëshin komunikuar shkarkimin, a thua se vetëm ai në mbi 80 mijë rrogëtarët e këtij vendi, e paska shkequr ashiqare urdhrin e shefit. Mua më la shije të hidhur largimi i tij nga puna, jo vetëm se vjen nga familje përkthyesish dhe me traditë, por edhe sepse m’u krijua një imazh pozitiv për atë njeri teksa zhvilloja biseda të gjata për letërsinë, problemet e leximit dhe përkthimit, shqipërimin, zhanrin e tregimit (të cilin e pëlqente shumë) në këto kohë e shumë probleme të tjera. Ishte njeri i thellë dhe i kultivuar ai, por realisht nuk më dukej aq i bukur përkundër këtyre çupkave me dhe pa make-up që dalin në tubin e kanaleve që na punësohen me konkurse serioze!!
II
Po sot mora vesh se këta të Bashkisë sërish paskan bërë kontrolle të rrepta nëpër kopshtet e Tiranës. “Epo shyqyr”, – thashë me vete, – “50 fëmijë nëpër dhoma asfiksuese dhe pa ajrim, pak edukatore, pa ngrohje dhe ftohje të mjediseve, me kushte mizerabël dhe mungesa dramatike të mjeteve didaktike për të edukuar fëmijë. Por, nuk qenkësh kështu. Ata nuk paskan ardhur për të parë se në çfarë kushtesh janë kopshtet: as për të bërë ndonjë plan investimi apo vazhduar fushatën e nisur nga kryebashkiaku një vit më parë.
Disa po thonë se këta inspektorët paskan bërë kontrolle në çantat e edukatoreve, sepse kishin pasur informacione se ato iu kishin grabitur vezët, djathin, gurabijet, revanitë dhe hallvasitë kalamajve. Sapo ishte bërë denoncimi nga prindër të fëmijëve që iu ishte ngrënë kuota ushqimore dhe iu ishin hequr kaloritë ushqyese të vegjëlve, gjysma e bashkisë ishte vënë në punë për të kapur hajdutet. Dhe çfarë ndodhi? Merreni me mend vetë.
III
Kjo e treta është pak ndryshe nga dy të parat. E kam fjalën për këtë Klementin nga Saranda që u shkarkua sot nga detyra e drejtorit të Transportit. Nuk do të merresha fare me të sot, nëse nuk do t’i kisha dëgjuar dy historitë e mësipërme. Gjithë ditën e djeshme lutesha që të mos t’i dilte emri nga policia e vendit fqinj këtij burrit. Thoja me vete boll kriminela janë zbuluar në administratë dhe në Kuvend. Këta kanë zënë mend dhe ia kanë vënë pritën njerëzve me rekorde të këqija që kur kanë shpërdarë edhe formularët. Por, ç’e do! Opozita i di ca të çara dhe e denoncoi edhe dje: E denoncoi edhe dy vjet më parë, por mazhoranca ia nxorri të bardhë dëshminë e penalitetit. Madje, qeverisja lart nuk u tund as kur i doli emri nëpër arkivat e gazetave këtij Klementit për përfshirje në trafik droge. Askush nuk e vuri ujin në zjarr për këtë tipin. Me siguri do t’ia kishin nxjerrë sërish një dëshmi të bardhë, por shyqyr që ky tipi kishte të bënte me policinë greke. “Opozita ia fut kot! Pëëfffff”. “Gazetat janë të politizuara”. “Të tilla kanë qenë. Po na baltosin qeverisjen në këtë far feje!”.
“E shikoni se çfarë po bëjmë…..”.
Kemi hequr një punonjës biblioteke që nuk zbaton orarin zyrtar të punës. Edhe dy edukatore që iu kanë ngrënë marmalatën kalamajve!?
Po për Klementin?!! Me atë le të merret policia greke se ne po bëjmë shtet. Po bëjmë institucione; po bëjmë…..