Avokati i Viktor Markut, i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa e cilësoi të paligjshëm arrestimin e klientit të tij, pasi nuk është konstatuar asnjë urdhër-ndalimi. Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi ligjor i Markut, që u arrestua në Mal të Zi, theksoi se policia duhet të gjejë autorët e vërtetë të krimit. Mes të tjerash ai tha se të dt, dajë e nip, Viktor Marku dhe Sebastian Mali, nuk kanë lidhje me ngjarjen, ndërsa theksoi se ky i fundit ishte një student i shkëlqyer i Juridikut. Ai shtoi se Sebastian Mali kishte kaluar në atë rrugicë ku kishte ndodhur krimi (Në zonën e komunës së Parisit) për të blerë gjëra personale.
“Janë disa shkelje në ndalimin e klientit tim. Janë procedura që i di mirë Policia Gjyqësore. Në relatimin që u bë, nuk konstatohet një urdhër-ndalimi. Kodi parashikon që të ketë urdhër-ndalimi, dhe kjo nuk u konstatua. Kjo ishte A-ja! Janë nip e dajë, nuk kanë lidhje me ngjarjen, policia të gjejë autorët. Sebastian Mali është student i Juridikut, student i shkëlqyer, Ai ka të drejtë që të lëvizje rrugicave, ka shkuar që të blejë gjëra personale.”, pohoi avokati. Ndërkohë, mësohet se vet Marku ka mohuar akuzat, ndërsa u shpreh se ishte në Mal të Zi për punë dhe se nuk kishte lidhje me ngjarjen në fjalë.
Organi i akuzës ka dyshime se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina “Smart” marrë me qira dhe ngjitet në automjetin “Mercedez benz” i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat. Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë. I arrestuari Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006, ngjarje për të cilën Billa u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat britanike dënim i konvertuar me 25 vite sipas legjislacionit shqiptar. Ndërkohë, është shtyrë për nesër seanca për Viktor Markun, pasi Gjykata kërkoi materiale shtesë./bw