Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj duke folur për rindërtimin, tha se 4 mijë familje do jenë në shtëpi të re në vitin 2021.
Në një konferencë për mediat, Ahmetaj theksoi se qeveria shqiptare është gati të nisë ndërtimin e 3400 banesave individuale.
“Javës që vjen shpallet gara ndërkombëtare për 3400 shtëpitë. Do të ftojmë kompanitë ndërkombëtare për të ndërtuar shtëpitë individuale. Do të ftohen ambasadat dhe kompanitë ndërkombëtare për prokurim. Bashkitë kanë nisur vlerësimin e dosjeve individuale. Shtëpitë individuale do të ndërtohen me teknologji të mirë. Rindërtimi do jetë sipas standardit europian, rezistent ndaj tërmeteve deri në 9 ballë. Katër mijë familje që do banojnë në banesat e reja do ta festojnë vitin e ri 2021 në banesat e reja. Jemi gati të nisim në terren nga puna për rindërtimin e 3400 shtëpive të para individuale, që do të financohen nga fondi i rindërtimit. Sot qeveria ka kaluar vendimin për miratimin e fondit limit prej rreth 73 milionë euro, që do iu kalojnë FSHZH dhe Bashkisë së Tiranës. FSHZH do ketë fond prej 6.28 miliardë lekë me zërin, shpenzime kapitale për financim të brendshëm. 2500 shtëpi do të ndërtohen nga FSHZH. Do ketë shtëpi 1+1, 1+2 dhe 1+3”, deklaroi Ahmetaj.