Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Fitër Bajramin. Mijëra besimtarë ishin pjesë e faljes së namazit të organizuar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Festimet e Fitër Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u lut që Zoti në këtë festë ta begatojë dhe ta mbushë me mirësi dhe paqe vendin tonë.
“Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë. Le të heshtim në vend të fjalës së keqe, e kur të flasim, të flasim bukur”, u shpreh Spahiu.