Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN ka reaguar në lidhje me deklaratën seksiste të Skënder Gjinushit ndaj gazetares Enkelejda Mema.
AWEN në një letër të hapur Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si edhe Kuvendit të Shqipërisë e ka cilësuar diskriminuese gjuhën e përdorur ndaj gazetares.
Në letër kërkohet të mbahet qëndrim kundër gjuhës diskriminuese ndaj gazetareve gra.
LETËR E HAPUR drejtuar: Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Për dijeni:
Kuvendi i Shqipërisë
Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Nënkomisionit për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore, Dhunës në Familje,
Z.Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë
Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Avokates së Popullit
Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Lënda: Organizatat që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore, kërkojmë të reflektohet dhe të mbahet qëndrim kundër gjuhës diskriminuese ndaj gazetareve gra.
I / E nderuar znj. / Z.,
Si grupim i organizatave të shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e gave dhe në emër të aktivistëve të të drejtave të njeriut kërkojmë të reflektohet dhe të mbahet qëndrim kundër gjuhës diskriminuese ndaj punonjësve të shtypit dhe në mënyrë të veçantë ndaj gazetareve gra.
Duke marrë shkas nga gjuha dhe qëndrimi fyes i përdorur nga Z.Skënder Gjinushi, i sapozgjedhur në detyrën e nderuar të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndaj gazetares Enkeleda Mema gjatë një interviste në datën 24 Maj 2019, sjellim në vëmendjen tuaj shqetësimin e thellë që kemi për faktin se qëndrime të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe janë pjesë e gjithë aktualitetit social, politik e kulturor të vendit.
Ajo që na shqetëson më tepër në këtë rast është se kjo gjuhë po përvetësohet edhe nga përfaqësuesit më të lartë të shkencës.
Për këtë arsye ne:
- I bëjmë thirrje Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të reagojë menjëherë dhe të bëjë përgjegjës Z.Gjinushi për gjuhën e përdorur, me qëllim që kjo gjuhë të mos zërë vend në qarqet e urta të shkencës shqiptare;
- I bëjmë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe organizmave të tjerë që sipas detyrave të tyre të mbajnë qëndrim në bazë të ligjit dhe të veprojnë kundër gjuhës së papranueshme, diskriminuese dhe seksiste të përdorur;
Qëndrime të tilla jo vetëm që janë hapa pas për një vend dhe një shoqëri demokratike, por janë qëndrime diskriminuese dhe në kundërshtim të plotë me Konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin kundër diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore.
Sinqerisht,
AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
Gruaja tek Gruaja, Shkodër
Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, Tiranë
Qendra psiko-sociale “Vatra”, Vlorë
Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Tiranë
Forumi i Gruas Elbasan
Shoqata “Agritra-Vizion”, Peshkopi
Shoqata e Grave me Probleme Sociale, Durrës
Shoqata ”Jona”, Sarandë
Shoqata ”Unë Gruaja”, Pogradec
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Tiranë