Nëse i referohesh lajmeve që publikohen herë pas here në portalet shqiptare të krijohet përshtypja se Kanadaja është një vend që mezi po pret emigrantë, e veçanërisht ata nga Shqipëria. Janë të shumtë titujt, sipas të cilëve Kanadaja merr mbi 300 mijë emigrantë në vit dhe ku çdo shqiptar mund të provojë fatin. Për të treguar një panoramë sa më të besueshme dhe konkrete “Flasshqip.ca” iu drejtua avokatit të njohur shqiptar në Montreal, Gjergji Hasa, i cili përmes një morie shkrimesh dhe intervistash do të detajojë nga sot e në vazhdim, rrugën që duhet të ndjekin qytetarët shqiptarë të cilët plotësojnë kushtet për të emigruar në Kanada. Gjergji Hasa është i pari shqiptar nga Republika e Shqipërisë i diplomuar jurist në Universitetin prestigjioz McGill-Kanada dhe partner në firmën Ferdoussi Hasa Attorneys.
Kohët e fundit, janë të shumta lajmet që mbërrijnë në Shqipëri të cilat flasin për një politikë favorizuese të Kanadasë në drejtim të emigrantëve. A duhet ta shohin shqiptarët Kanadanë si një alternativë për të emigruar?
Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë teksa lexojmë këto lajme është fakti që arsyeja e parë pse Kanadaja ka këto politika emigrimi është interesi i saj ekonomik. Shqiptarët mund ta shohin Kanadanë si një alternativë për të emigruar vetëm duke menduar për t’i shërbyer ekonomisë së saj dhe në të njëjtën kohë që të përfitojnë edhe ata. Kanadaja pranon rreth 330 mijë emigrantë në vit. Popullsia e Kanadasë është duke u vjetëruar dhe ka nevojë për mbushur boshllëqet që po krijohen duke e ditur që Kanadaja është një ekonomi e zhvilluar dhenë zhvillim. E verteta është që politika favorizuese e Kanadasë është për t’i shërbyer ekonomisë së saj dhe nëse një emigrant nga Shqipëria, India apo Kina mund t’i shërbejë ekonomisë së Kanadasë, atëherë patjetër që Kanadaja ka një politikë favorizuese. Në të kundërt, nuk do thosha që Kanadaja ka një politikë favorizuese.
Nëse një familje shqiptare vendos të emigrojë në Kanada, çfarë ambienti mund të gjejë? A është shoqëria kanadeze diskriminuese?
Është e padiskutueshme që Kanadaja është një nga vendet më mikëpritëse, për të mos thënë vendi më mikpritës në botë. Kjo nuk do të thotë që është perfekt, por nëse e krahasojmë me Greqinë për shembull, janë si nata me ditën. Kanadaja është vendi më i mirë në Botë për të gjetur një ambient sa më të përshtatshëm për emigrantët. Por ajo që vihet re te çdo emigrant i sapoardhur është fakti që në vitet e para Kanadaja nuk të ofron dot atë ngrohtësinë që të ofron vendi yt. Ambienti është i ftohtë nga ana shoqërore dhe emocionale, por nëse e sheh nga ana profesionale dhe ekonomike, ky ambient është vibrant dhe favorizues. Ata që duan të punojnë fort, kanë një profesion dhe ndërmarrin studime ose trajnim, Kanadaja është vendi i meritokracisë dhe një ambient favorizues gjithashtu. Sa i përket pjesës së pyetjes për diskriminimin, besoj që qenia njerëzore është diskriminuese në radhë të parë. Duhet kulturë dhe interes për të kaluar mbi ndjenjat diskriminuese. Kanadaja është një nga vendet më të kulturuara të Botës, por fatkeqësisht jo të gjithë kanadezët janë të kulturuar që të kenë mundësinë të mundin diskriminim. E megjithatë, duhet të jemi realistë dhe të pranojmë që interesi personal i një individi e bën atë që të mundë ndjenjën diskrimimuese nëse emigranti i bën punën dhe i shërben biznesit apo interesave të tij.
Cilat janë disa nga format që mund të përdorin shqiptarët për të emigruar në Kanada?
Në dhjetë vitet e fundit politika emigruese e Kanadasë ka ndryshuar dhe është bërë më e vështirë sepse kërkesat janë shumë të larta nga e gjithë Bota kështu që Kanadaja synon të zgjedhë emigrantët më të kualifikuar. Kriteri që ka ndikuar më tepër në seleksionimin e emigrantëve që vijnë në Kanada është perfeksionimi i gjuhës angleze dhe franceze. Kjo sërish është e lidhur me interesat ekonomike të Kanadasë. Në qoftë se para 10 vitesh të jepnin shumë pikë për moshën dhe shkollimin e aplikuesit, sot jepen shumë herë më shumë pikë për nivelin e gjuhës. Për shembull, në procesin e “Express Entry” për të kapur pikë kyçe që të arrish pikët minimale (rreth 440 pikë) për një ftesë për rezidencë të përhershme duhet të kesh nivelin e IELTS mbi 7. Ky është një nga ndryshimet thelbësore. Rritja e kriterit të gjuhës ka kufizuar jashtë mase emigrimin e shqiptarëve drejt Kanadasë si rezidentë të përhershëm. Duke e ditur që shqiptarët e kanë të vështirë të arrijnë nivelin 7 të IELTS, eleminohen, kurse për të emigruar në Quebec duhet frengjishtja në një nivel mesatar të avancuar që është B2. Në vitet e fundit edhe ky kriter u rrit nga B1 në B2. Kjo më nxjerr në konkluzionin që pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, duke e vënë re edhe në punën e përditshme si avokat në fushën e emigracionit, janë duke ardhur përmes vizave të studimit ku zotërimi i anglishtes apo frëngjishtes nuk kërkohet të jetë i lartë. Me sa di unë, Kanadaja është një nga vendet e fundit perëndimore që ka programe të posaçme për studentët e huaj që të marrin rezidencën e përhershme dhe pas tre vitesh nënshtetësinë kanadeze.
Intervista jonë e parë do të pasohet edhe nga të tjera shkrime tuajat më të detajuara, por a mund të na thoni shkurtimisht se si mund të emigrohet në Kanada përmes lejes së punës, studimeve, bashkimit familjar dhe “Express Entry”?
Këto tema ne do t’i prekim në të ardhmen patjetër, por ajo që mund të them është se një shtetas i huaj, një emigrant nuk mund të marrë leje pune pa pasur punëdhënës në Kanada. Kanadaja ka një sistem mbrojtës të interesave të saj që të mos vijë një i huaj dhe t’i marrë vendin e punës një kanadezi ose një rezidenti të përhershëm, për shembull duke e konkuruar një shtetas kanadez duke pranuar një pagesë më të ulët. Jo vetëm gjendja ekonomike e punëdhënësit, por edhe pozicioni që do ketë emigranti në kompani duhet të ketë një lidhje të drejtëpërdrejtë me eksperiencën profesionale të punonjësit dhe pozicioni i lirë që i ofrohet emigrantit të kompani. Për shembull, një kompani ka nevojë për një IT. Që të punojë si IT rregullorja në Kanada (e njohur si National Occupational Classification) i kërkon që të ketë patjetër një diplomë universitare për atë vend pune. Në qoftë se këto të dyja nuk lidhen, ky duhet të jetë një alert për një emigrant që aplikimi nuk do të ketë sukses, pasi nuk plotëson një nga kushtet bazë. Një shembull tjetër është ai i kuzhinierit ku nuk kërkohet gjithmonë diplomë, por kërkojnë disa vite eksperiencë, pra më shumë se dy vite. Nëqoftëse nuk plotëson kushtin e eksperiencës së punës, përsëri aplikimi do të refuzohet. Agjentët e emigracionit marrin tepër seriozisht çdo kriter dhe nëqoftëse një prej kritereve nuk plotësohet, aplikimi refuzohet.
Sa i përket bashkimit familjar, ai është i kufizuar në kategori dhe në numër. Këtu përfitojnë gjyshërit, prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët. Fëmijët janë të kufizuar deri në moshën 22 vjeç dhe nëse femija e kalon këtë moshë, ai ose ajo nuk mund të sponsorizohet. Aplikimet për t’u bashkuar me prindërit apo gjyshërit janë në rritje por të limituar në 20,000 aplikime për 2019, ishte 10,000 në 2018, dhe 5,000 kur qeveria konservative e ish-kryeministrit Harper ishte në fuqi.
Sa i përket “Express Entry”, ky proces ka në total 1200 pikë dhe 600 pikë jepen për aftësitë personale të një kandidati. Pikët e tjera jepen nëse, për shembull, kandidati është i përzgjedhur nga një provincë në Kanada. Në qoftë se një kandidat nuk ka 440-450 pikë në “ExpressEntry” do të jetë shumë e vështirë që t’i përzgjidhet kandidatura. Gabimi që bëjnë kandidatët është që në vend që të marrin një profesionist në fillim për t’u bërë një vlerësim të të gjithë komponentëve dhe për t’i nxjerrë pikët e përafërta, ata fillimisht aplikojnë duke harxhuar mbi 1 mijë dollarë në pagesa të ndryshme për të përgatitur dhe dorëzuar aplikimin dhe në fund e shohin që janë larg kufirit minimal.
A ka mundësi ligjore për një shqiptar që të fitojë azilin në Kanada?
Për shumë arsye, nuk do i inkurajoja shqiptarët që të kërkojnë azil në Kanada. Për çdo shqiptar që do të dijë informacionin që ka qeveria kanadeze për Shqipërinë, ata mund ta lexojnë në një faqe të posaçme të ‘Immigration and Refugee Board of Canada (IRB)” që quhet “National Documentation Packages (NDP)”. Në seksionin për Shqipërinë do të shohin me dhjetra dokumente që japin informacion në të gjitha fushat e mundshme në lidhje me gjendjen në Shqipëri që mund të ketë lidhje me kriteret e nevojshëm për përzgjdhjen e azil kërkuesve. Ajo që del nga këto dokumente është që Kanadaja ka informacion që ndihma e shtetit për të mbrojtur shtetasit e saj ekziston në Shqipëri. Sa e vërtetë është kjo në jetën e përditshme të shqiptarëve në Shqipëri është pyetje tjetër por sot këtë informacion ka Kanadaja se këtë pikësynim ka edhe qeveria aktuale. Por, me pak fjalë, dëshiroj ta bëj të qartë që nëqoftëse një shqiptar nuk kërkon ndihmën e shtetit shqiptar (duke siguruar provë dokumentare për këtë) përpara se të vijë dhe të kërkojë azil në Kanada, shanset janë shumë të larta që kërkesa e tij të refuzohet.
Një familje shqiptare që vendos të emigrojë, sa kohë i duhen afërsisht për t’u integruar në tregun e punës apo plotësisht në Kanada?
Përgjigjja shkurt e kësaj pyetje, do të ishte që një ndryshim të parë profesional në Kanada e sheh mes vitit të katërt dhe të pestë dhe më pas çdo pesë vjet. Duhet të investosh në një profesion, ose nëse fillon universitetin do të duhen 3 vite ta kryesh dhe më pas sa të gjesh veten dhe të bësh vend në atë profesion. Për të qenë më konkret po iu tregoj eksperiencën time. Nga 2005 deri në 2009 bëra Universitetin e parë për shkenca politike te universiteti Concordia në Montreal, por me këtë degë mund të punoja në administratë, por jo më shumë se kaq. Megjithatë qëllimi im ishte drejtësia por nuk mund të aplikoja në drejtësi në McGill pa kryer një universitet më parë. Në 2009 fillova studimet për Drejtësi dhe i mbarova në 2013. Një vit më vonë kam kryer studimet e Dhomës së Avokatisë që zgjatën 8 muaj dhe më pas bëra 6 muaj stazh që është i detyrueshëm përpara se të japin licencën si avokat. Pra në total 10 vite. Ndryshimi i parë ku ngjita një shkallë ishte pas 4 vitesh kur mora diplomën e parë universitare, ndryshimi i dytë ishte pas 4 vitesh për t’u bërë Jurist dhe më pas edhe dy vite të tjera për të marrë titullin Avokat. Më pas ngjita shkallën e tretë kur fillova punë si avokat “Junior” në zyrën ku kreva stazhin dhe pas 2-3 vitesh pune intensive u bëra partner i zyrës me eksperiencë 30 vjeçare në emigracion dhe jo vetëm. Pra mund të them që jam në shkallën e katërt dhe kështu kanë kaluar pothuajse dy dekada. Në tregun e punës besoj se integrohesh kur ke kryer ekuivalencën e studimeve ose ke kryer studimet në Kanada dhe je në të njëjtin nivel arsimor me një kanadez. Kur arrin në këtë nivel, në Kanada quhesh i babarartë. Në metropolet e Kanadasë nuk ka diskriminim në qoftë se je i zoti: nëse dy persona janë me aftësi të barabarta profesionale, vendi i punës i ofrohet më të zotit, nuk shikohet prejardhja.
Kemi dëgjuar që Kanadaja është një shtet shumë social. Çfarë i ofron qeveria kanadaze një familjeje me fëmijë të vegjël dhe të sapoardhur në Kanada?
Kanadaja është një shtet social por është kapitalist social. “Kapitalist” në jetën e përditshme dhe në një gjuhë të thjeshtë do ta interpretoja si “garo për të ndihmuar veten tënde”. Termi ‘social’ do të thotë që nëse nuk ke mundësi të ndihmosh veten tënde, ‘ne nuk të lemë të vdesësh’, por jo të lulëzosh. Në një botë perëndimore kapitaliste, mund të themi që Kanadaja është një shtet social sepse disa shërbime janë falas. Në krahasim me Amerikën janë si nata me ditën për sa i përket shërbimeve falas që ofrohen apo ndihmës që i jepet individëve në nevojë. I pasuri i Amerikës është më i pasur se i pasuri i Kanadasë por ama edhe i varfëri i Amerikës është më i varfër se ai i Kanadasë. Pika e dytë, një personi të papunë i ofrohet një ndihmë sociale, e cila në fakt është sa për të mbijetuar dhe unë mendoj se kjo ndihmë më shumë të lë mbrapa sesa të ndihmon. Unë personalisht ndihmën sociale e shoh si ‘një gur’ ku duhet të shkelësh përkohësisht dhe të hidhesh diku tjetër. Mund ta marrësh për një kohë të shkurtër, por jo për shumë gjatë. Rasti më ekstrem janë bankat që nëse ke një rrogë të ndihmojnë përmes kredisë për të blerë një shtëpi, por me ndihmë sociale nuk ta japin kurrë kredinë.
Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes qeveria i jep një familje rreth 1500 dollarë në varësi të numrit të fëmijëve dhe të ardhurave. Por po të kesh parasysh nivelin e qerasë apo të jetesës, kjo shumë është shumë e ulët.
Personalisht nuk do të thosha që është shumë social si vend, por dy gjërat që ia vlen t’i përmendësh është shëndetësia falas dhe një ndihmë financiare që qeveria të ofron.
Pyetja e fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Çfarë do t’i këshillonit një pjesëtari të familjes suaj, nëse vendos të emigrojë në Kanada?
Pjesa më e madhe e familjes sime gjendet jashtë Kanadasë dhe të gjithë më kanë pyetur se si mund të emigrojnë dhe u kam dhënë të njëjtën përgjigje. Këshilla ime do ishte e ndryshme për ata që janë jashtë Kanadasë dhe ata që janë brenda Kanadasë me dokumente të rregullta. Atyre që janë jashtë Kanadasë do t’i këshilloja të mësonin në një nivel mesatar një nga gjuhët zyrtare të Kanadasë dhe të kenë vullnetin, mundësinë financiare dhe dëshirën për t’u arsimuar në Kanada që të kenë një mundësi të emigrojnë në këtë vend. Pa gjuhë dhe pa dëshirë për t’u arsimuar, reduktohen shanset me rreth 80-90%. Për ata që janë në Kanada, këshilla ime do të ishte përmirësimi i gjuhës në një nivel mbi mesataren dhe marrja e një profesioni.
/Flasshqip.ca/