Banorët e lagjes “Arapaj” në Durrës kanë dalë sot në protestë për të kërkuar ç’bllokimim e rrugës në magjistralin Shkozet-Plepa.
Sipas banorëve semafori që shërbente që banorët të kalonin nga njëri krah i rrugës në tjetrin u prish pak muaj më parë. Për evitimin e aksidenteve Drejtoria e Rrugëve vendosi disa blloqe betoni duke e bllokuar kalimin e banorëve që i ndan rruga.
Banorët shprehen se gjatë viteve të fundit në këtë segment janë regjistruar me dhjetëra aksidente me pasoja të lehta dhe të rënda. Për shkak të aksidenteve të shumta, banorët e kanë pagëzuar këtë rrugë si “Rruga e Vdekjes”.
Banorët edhe drejtuesit e automjeteve duhet të udhëtojnë rreth një kilometër për të kaluar në krahun tjetër të rrugës. Por teksa drejtuesit e automjeteve të detyruar ashtu veprojnë, këmbësorët rrezikojnë jetën duke kaluar me shpejtësi rrugën. Në këtë segment (superstradë) makinat lëvizin me shpejtësi dhe kjo e bën edhe më të rrezikshëm kalimin e këmbësorëve nga njëri krah në tjetrin. Banorët thonë se vendosja e këtyre blloqeve i ka bllokuar dhe ndihen të izoluar nga pjesa tjetër e qytetit.
Protestuesit kërkojnë të rregullohet semafori dhe të largohen blloqet e betonit ose të ndërtohet një mbikalim. Banorët e lagjes 13 në Durrës kërcënojnë me përshkallëzim protestash nëse propozimet e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës.