Presidenti amerikan Barack Obama e konsideron mungesën e një plani për Libinë pas rrëzimit nga pushteti i diktatorit Moammar Gadhafi, si gabimin më të madh të presidencës së tij.
“Mungesa e një plani për ditën që pasoi, pas ndërhyrjes në Libi, që mendoj se ishte gjëja e duhur për të bërë, është me shumë gjasa një ndër gabimet më të mëdha të mia”, u shpreh Obama, në një intervistë për “Fox News”
Gjatë javëve të fundit, ai ka folur shpesh për Libinë dhe ndërhyrjen e NATO –s, që çoi në vdekjen e Gadhafi t, në tetor të atij viti.
Ndonëse beson se ndërhyrja shkoi mirë, Obama tha se sot Libia mbetet një “lëmsh”.
Edhe në shtator, gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, presidenti amerikan e kritikoi ndërhyrjen në Libi duke thënë se duhet të ishte bërë më shumë për të mbushur vakumin e mbetur prapa.