Pak ditë më parë, nga rrëzimi i një helikopteri të Forcave të Armatosura në liqenin e Shkodrës, ku tragjikisht humbën jetën dy ushtarakë, gjuha e trazuar e politikës implikoi në këtë ngjarje një tjetër mision, atë të fluturimit të një helikopteri të kompanisë “Shega Trans” drejt Tropojës.
Dhe këtu është rasti për të rrëfyer “fije për pe” se ç’deshte ai helikopter atyre anëve, që vërtet bartte në bark materiale ndërtimi.
Kolë Adem Përpepaj e origjinë nga fshati Curraj Epër i krahinës së Nikaj Mërturit në Tropojë, ushtarak me gradë major, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, si hakmarrje ndaj bashkëfshatarit të tij, patriotit dhe luftëtarit Gjelosh Ramë Mrishaj, bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar i Bajram Currrit, takohet rastësisht në Beograd me nipin e ekzektuesit të Gjelosh Ramës, Dervish Radin, siç thotë dhe kënga popullore. Kola futet në rrojtore dhe, kur berberi sapo i kishte rruar njërën faqe, futet Dervish Radi, që duke e kërcënuar Kolën e urdhëron të ngrihet për t’ia lëshuar vendin, por ai me shpejtësi nxjerr revolen dhe e qëllon tetë herë duke e lënë vdekur në vend.
Dhe Kola, pas shumë peripecish përfundon në Amerikë, por që le një amanet: herdokur të varroset në vendlindjen e tij, në Curraj Epër.
Kalojnë vite e dekada e tashmë Kola kalbej nën dhé në Amerikë, por që të afërmit e tij nuk e lenë pas dore amanetin e të ndjerit. Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, nipa dhe kushërinj ia sjellin eshtrat Kolë Ademit dhe e rivarrosin në vendlindje, duke habitur banorët e atyre anëve mes maleve, pasi ato erdhën në rrugë ajrore direkt nga Amerika, po me helikopter, ku në ceremoninë e rivarrimit u shtrua dhe në darkë me mbi 300 veta.
E kështu pra, vitet kaluan dhe pas dy dekadave, ditë më parë, një helikopter fluturon ultas mbi Nikaj Mertur e ndalon në Curraj Epër duke bërë dy fluturime. Kësaj radhe jo për transport eshtrash, por për të çuar atyre lartësive e thellësive materiale ndërtimi për restaurimin e varrit dhe ngritjen e një lapidari kushtuar të ndjerit
Helikopteri ishte i kompanisë “ShegaTrans” që e mori përsipër misionin e çuarjes në Curraj Epër të sasive të mermerit e çimentos, sipas kërkesës së familjarëve të të ndjerit, pasi rruga është katandisur në pothuajse e pakalueshme nga automjetet; dhe konkretisht nga vendi i quajtur Shtoj, Malësi e Madhe ku ndodheshin materialet, për në Curraj i Epërm, Tropojë.
Por ja që politizimi i çdo gjëje që ndodh në Shqipëri, bëri që trazojë në varr dhe Kolën e katandisur në eshtra, i cili për pak sa nuk është ngritur për t’i sqaruar opozitës se i kujt është helikopteri që po fluturonte drejt trojeve të tij, dhe se ç’mision kishte.
Ja dhe kënga për Kolë Ademin, por që sigurisht nuk ka asnjë lidhje me rastin në fjalë; e ndoshta kjo që ndodhi me ngatërrimin e helikopterit të “Shega Trans” dhe misionit të tij, meriton të tjera vargje shtesë nga rapsodi popullor.
Kolë Ademi djal i ri
Ish major me gradë n’ushtri
Në Serbi djali ka shkue
30 ditë kanë ba tuj kërkue
N’berberhane ka hi me u rrue
Dervish Radi aty ka shkue
Kolë Ademit ju ka germue,
Çou karrigen ma lsho mue
Unë karrigen s’ta lshoj për t’gjallë
Jam djal Currajsh jam shqiptar
N’kosh djal Currajsh n’kosh shqiptar
Merrmi vesh qeto dy fjalë
Mixha hakut ju u pat ardhë
Ja u pat zgjatë qafën n’litar
Gjelosh Ramen ja u pat damtue
Bajram Currin ja u pat hjeksue
O ju kto punë n’i paçi marue
Djal për mrapa kanë lanë mue
Hjek alltinë e ja ka vnue
Tetë fishekë ja ka numrue
Dekun në tokë e paska lshue
Tetë herë Kola i ra allti
Jo ma larg se bri në bri
O pse po kërset kjo pushkë n’Serbi
E dini çka ka ba vaki
Po çuditet dhe Mali Zi
Paska burra kjo Malsi
Vinë e marrin gjakun n’Serbi
Përgatiti: Gjon Neçaj – /tesheshi.com/