Siç dyshon Prokuroria, Gjika bashkë me 7 punonjës të tjerë kanë shkelur ligjin gjatë dhënies me koncension për parkimet me pagesë në 24 rrugë në qytetin e Vlorës.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe ish-kryebashkiaku i Vlorës duke thënë se, hetimi ndaj tij vazhdon, por shpjegon se lajmet që qarkullojnë nëpër media ndaj tij ose janë pasaktësi të paqëllimshme të këtyre të fundit ose në rastin më të keq janë shpërdorim i qëllimshëm i prokurorit të çështjes.
“Nuk më shqetëson fare nxitimi i organit të akuzës, për të nxjerrë konkluzione pa u mbyllur afati i hetimit, nuk e kanë për herë të parë që e bëjnë me mua këtë veprim! Ftoj cilindo, dashamirës ose jo, të kenë besim jo vetëm te karakteri im, por mbi të gjitha te drejtësia e re, për të cilën shpresoj t’i japë fund këtyre metodave staliniste të organit të akuzës, i cili ta bën gjyqin së pari në media, pastaj në gjykatë! Te them që “dikush” nga prokuroria ka vënë bast që të më dënojë se s’bën, nuk e them dot, sepse për fat të mirë, bastet janë hequr nga Shqipëria!”, – deklaron Shpëtim Gjika në reagimin e tij.