Nga Anila Hoxha
Portret i pautorizuar nga familja e një polici në azil!
Lori Pepkola është 19 vjeçe. Ambicia e saj ishte të ndihmonte këdo që ka probleme shëndetësore andaj dhe ju përkushtua shkollës, dega Farmaci. Për shkak se familja e saj nuk jetonte në kryeqytet u rregjistrua në një konvikt në Qytetin Studenti. Dy motrat më të vogla që ndiqnin shkollën në Kukës, kanë prirje njëra për pikturë dhe tjetra për muzikë. Të treja janë vajza të dy prindërve të ndershëm, që një ditë të ftohtë mblodhën urgjent çantat, i prenë në mes planet dhe ëndrrat, lanë rrobat njëra në konvikt dhe të tjerat pa u përshëndetur me shokët e klases dhe… ja mbathën. Ikën pa e ditur se nga kush po ikin dhe çfarë rrezikojnë.
Femra e katërt është nëna e tyre. Quhet Leta! Ajo i rriti ato pothuajse e vetme, pasi bashkëshorti polic, hidhej me detyrë, sa në Korçë, sa në Elbasan sa në Lezhë e sa në Laç. Kush është familje polici e di çdo të thotë të jetosh me çanta në krah. Aspak plotësisht për familjen, por në shërbim të atdheut. Vajzat u rritën nga e ëma, atëherë kur i ati ndërkohë ishte me shërbim dhe përpiqej të godiste grupet kriminale të Elbasanit. Imagjinoni një grua të vetme që i sëmuren fëmijet dhe me ta në krah e vetme i dërgon në shkollë, e vetme kujdeset për gjithçka, sepse është martuar me një njeri që ka gjak polici dhe dhe jetën ia ka kushtuar detyrës. Imagjinoni një grua si ajo!
I pesti është polic. Është babai i tre vajzave, nuk arriti të blinte as një shtëpi në Tiranë për shkak të një problemi të madh që quhet ndershmeri. E vetmja që ju afroi është banesa e trashëguar nga familja prej 68 m2. Ai është Shkëlqim Pepkola dhe megjithëse luftonte në faturat, me mbijetesën i shtoi familjes edhe një rrezik tjetër. Frikën dhe pasigurinë për të jetuar në Shqipëri. Një ditë të ftohtë ai i mori fëmijët, bashkëshorten që gjatë gjithë jetës sakrifikoi bashkë me të. Dhe iku. Iku nga Shqipëria e cila mirë që e flaku, e la pa punë, nuk e dëgjoi, por ja rrëmbeu dhe ja boshatisi gjakun e policit. Ai quhet Shkëlqim Pepkola dhe një ditë të ftohtë si kjo, ai gjendet kampeve duke kërkuar azil. Azil!
Manual si të vrasim një polic…
Ata që shtijnë mbi policët nuk janë vetëm. Më kujtohet si “u vra” para ca vitesh Tonin Vocaj, Muhamet Rrumbullaku, Edmond Rizai, Hamdi Fjora. U flakën në akademi dhe disave prej tyre ju kërkua dorëheqja nga gradat. E bënë! Më kujtohet si ” u vra” Bilbil Mema, e flakën pas një aksioni kundër skafeve, si “u vra” Ahmet Prençi e kështu me radhë, policë të njohur e të panjohur.
Kështu “u vra” Anila Hoxha, ish-zëvendës drejtore e përgjithshme, e cila pavarësisht se ka një vendim gjyqësor për t’u kthyer, askush nuk ia hap derën: “Jam bërë gati, kështu do ndodhë do “ma vrasin” edhe vëllain. Ai e do policinë, një dashuri që ma transmeton sa herë me këmbëngul “na mbështet, mos na sulmo”. Dhe sa herë ma thotë këtë më kujtohet se si policia kaloi sfida të forta që nga transformimi i gradave nga ushtarake në civile, se si e shpetuam policinë nga vaji e orizi që ju jepnin si tollon çdo muaj, në policinë që vazhdon t’i ” hajë” të vetët…