Historia e pabesueshme e suksesit të dy stilistëve shqiptarë, Fiordi e Gerti në betejën për të pushtuar ëndrrën e tyre.
Nga Lorenc Vangjeli
Bien në sy të dy nga larg. Tek dera e lokalit bëjnë atë ndalesën e disa çastëshme prej gentleman-ësh: hyr ti, jo hyr ti i pari dhe mbasi i kanë mbajtur gjatë derën hapur tre vajzave që ju shëtisin sytë nga koka tek këmbët, Fiordi dhe Gerti, ulen në tavolinë menjëherë mbas buzëqeshjes së tyre të mirësjellshme. Vajzat komentojnë me zë të lartë veshjen e tyre. Dhe njëra madje, tregon me gisht dhe kravatat plot ngjyra që ata mbajnë. Dy djemtë janë mësuar që pamja e tyre tërheq vëmendjen dhe duken të interesuar t’u shpjegojnë diçka shumë shkurt, si për të përfituar nga e veçanta që përcjellin.
Eshtë e rrallë, shumë e rrallë për këtë kohë të rrëmujshme dhe plot ngut, me plogështi orientale njerëzisht që duket se nuk kanë askund ku të shkojnë, të ndeshesh në dy të rinj që bërtasin në heshtje veçantinë e tyre. Janë jashtëzakonisht të sjellshëm, dukshëm të mençur e të përgjegjshëm dhe të kuruar si të dalë nga katalogë mode. Dhe në fakt, Fiordi dhe Gerti janë dy të rinj që i janë përkushtuar modës. Janë dy të rinj për të cilët nesër do të flitet shumë gjatë dhe me shumë gjasë, do të bëjnë histori në një botë që ka bërë historinë e veshjes.
Të shkolluar jashtë, Fiordi Përnaska dhe Gerti Struga, i janë përkushtuar pasionit të tyre të dizajnit të veshjeve – kravatat e punuara me dorë janë dashuria e tyre e parë – dhe tashmë kanë krijuar markën vetjake. Çuditërisht ose jo, më të njohur jashtë vendit sesa në Shqipëri. Ndoshta, edhe sepse Shqipëria ka të tjera kritere për të bërë zhurmë dhe për të krijuar vëmendje. Pak kohë më parë, ata nuk i shpëtuan dot kurthit që prodhon politika e ditës për gjithkënd, kur u tha seriozisht se ata ishin pjesë e biznesit dhe ekstravagancës së Edi Ramës. Disa kravata të qepura me një teknologji tërësisht të re, por me ngjyrat e disa pikturave të kryeministrit, bëri që shumëkush të besonte se ata ishin pjesë e një biznesi të fshehtë kryeministror. Të dy e refuzuan me mirësjellje këtë të pavërtetë, kurse Lajla Përnaska, ish-deputetja demokrate plot sharm, shpjegoi thjesht se i biri, Fiordi dhe kolegu i tij Gerti, kishin marë modelet e kryeministrit, por jo modelin e tij.
Fiordi dhe Gerti pranuan të intervistohen për Javanews.al duke treguar të vërtetat e tyre të befasishme për të rinj të moshës së tyre, që zgjedhin Shqipërinë dhe për t’u nisur nga Shqipëria në betejën për të pushtuar ëndrrën e tyre.
Si do ta prezantonit veten dhe pse keni zgjedhur modën?
Ne jemi dy të rinj si shumë të tjerë, si një shumicë shumë e madhe dhe e heshtur që pak njihet sepse nuk bërtet dhe që besojmë se ky vend do të bëhet. Kemi zgjedhur që mbas shkollimit të gjatë, mbas eksperiencave akademike jashtë vendit, të kthehemi këtu për të shndërruar në punë të përditshme një ëndërr të hershme. Po tentojmë të bashkojmë në një, traditën familjare me inovacionin e teknologjisë më moderne.
Cila ishte shtysa që ju çoi tek kravatat dhe a ju duken kravatat, siç mund të thuhet jo thjesht me humor, një kartvizitë për të mbërritur tek rrobe banjot femërore? Një burrë me kravatë ngjan se ka gjithmonë një epërsi më shumë për vëmendjen femërore apo jo?
Ndoshta ishte pikërisht kjo që thoni ju shtysa e pavetëdijshme e zgjedhjes sonë. Një kravatë është në thelb dhe një kartëvizitë mashkullore. Edhe pse ato u shkojnë jashtëzakonisht shumë edhe femrave. Kravata demonstron një lloj garancie e sigurie nga ai që e mban. Ka gjithmonë klas dhe dëshmon klas. Ka një gjuhë shumë të sofistikuar që shpreh, shpjegon, por dhe mban në mister kumte të ndërlikuara për atë që e vesh.
Kemi qenë të ftuar në Milano Expo 2015, nga Universiteti Bocconi – Fiordi është diplomuar aty – dhe atje patëm një frymëzim të fortë nga debati për avantazhet që kanë femrat në botën mashkullore të botës. Në kuptimin, që ato janë objekti, qëllimi dhe vetë fillesa e idesë së burrave që veshin femrat për të kuptuar sesa i mrekullueshëm është trupi i zhveshur i një femre.
Thelbi i atij debati që na ndryshoi jetën ishte batuta gjysëm ironike e një modeleje që demonstronte një epërsi të jashtëzakonshme në atë ambient: “E gjithë bota e modës punon vetëm për femrat, ndërkohë që ju meshkujt keni ngelur akoma tek kravata e Sherlock Holmes!”. Kjo edhe sepse ne të dy – Fiordi dhe Gerti – kishim vendosur dy kravata të zakonshme. Nga ky moment i premtuam vetes që do krijonim modele kravatash që nuk kanë ekzistuar deri sot duke plotësuar linjën e aksesorëve më të rëndësishem për modën mashkullore.
E bukura qëndron se lidhja jonë me kravatat shkon larg në të shkuarën deri tek themeluesi i sallonit të parë të modës në Tiranë, në vitin 1927, tek stilisti Jonuz Përnaska, i cili e ka pasur gjithnjë kravatën pjesë të integruar të stilimit të tij.
Në vazhdim ne themeluam markën VIP TIE si pjesë e markës ONUS, dedikuar vetëm aksesorëve unikë mashkullorë. Për këto produkte janë dashur mbi dy vite punë parapërgatitore në kërkim dhe zhvillim si dhe trajnime ndërkombëtare mbi përdorimin e teknologjive me të avancuara 3D dhe kombinimit të tyre me mjeshtërinë dhe artin e punës së dorës.
Cili është trendi i sotëm për këtë aksesor kaq të rëndësishëm? Gjithmonë e më shumë po shohim se moda e dikurshme Obama, këmishë e zbërthyer pa kravatë, po bëhet trend.
Kur përmendim fjalën trend i referohemi një “të shkuare” në të cilën njerëzit zgjedhin nga produkte të gatshme të realizuara nga kompani të ndryshme mode. Kravata nuk vdes kurrë. Madje mungesa e saj aty ku jemi mësuar shpesh ta shohim, në botën politike, e bën atë të bjerë edhe më shumë në sy kur vendoset.
VIP TIE dhe ONUS jane të strukturuar në atë formë që të japin mundësinë të krijosh ëndrrën tënde dhe ta kthesh atë në një produkt fizik unik të krijuar për ty. Pra, nëse do e ridimensiononim kuptimin e fjalës trend, do thonim që trendi sotëm është personalizimi unik për të shprehur vetveten.
Edhe njëherë për zgjedhjen tuaj, pse kravata dhe jo rrobebanjo për femra?
Sepse burrat janë ata që paguajnë gjithmonë. Gjithsesi ata paguajnë pak për vanitetin e tyre. Por, për të perifrazuar pyetjen tënden pak më parë, një kravatë e bukur është kartvizita që të çon tek rrobebanjot e bukura!
Vajzat të cilave ju hapët derën kur hytë në lokal komentuan pikërisht kravatat tuaja apo jo?
Ndodh gjithmonë.
Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj?
Markat ONUS dhe VIP TIE kanë nisur që në fillim si projekte të mbështetura nga partnerët tanë të huaj. Partnerët tanë kryesorë janë Instituti i Modës së Firenzes, Milanos dhe organizata partnere të Këshillit të Europes, me të cilët bashkëpunojmë për stilimin e modeleve të reja, për prezantimin e markave tona në rrjetet sociale dhe internet, si edhe për strategjitë e zgjerimit si brenda dhe jashtë kufijve, se bashku me trajnime për stilistët dhe artizanet tanë shqiptarë. Universiteti Luiggi Bocconi është gjithashtu një nga mbështetësit tanë, por për pjesën teknologjike të printimit 3D dhe integrimit të kësaj teknologjike në industrinë tekstile, jemi pjesë e Bocconi Alumni Association.
Për lënden e parë kemi arritur një bashkëpunim me kompani të rëndësishme italiane, angleze dhe franceze si LoroPiana, Holland&Sherry dhe Scabal.
Çfarë risie keni sjellë?
Mënyrën e re të prodhimit, e cila është një kombinim komplementar i teknologjisë më të avancuar 3D me mjeshtërinë dhe artin e punës së dorës. Për këtë mënyrë prodhimi kemi dy patenta shpikjeje të cilat po i shtrijmë në BE dhe më gjerë.
Cilët janë klientët tuaj këtu në Tiranë dhe gjetkë?
Kur u propozua në fillim marka VIP TIE pritshmeritë ishin se klientela jonë kryesore në Shqipëri do të ishte shtresa e mesme e lartë e sipër pasi edhe çmimi mesatar i një kravate është relativisht i lartë. Kemi edhe një linjë bazike me të aksesueshme që është pak më e lirë, por ka rezultuar se ky produkt është pëlqyer dhe vlerësuar aq shumë sa klientela jonë kryesore rezultoi shumë më e gjerë se aq duke përfshirë edhe shtresën e mesme gjerësisht edhe atë me të ulët pjesërisht. Ndërkohë që kemi edhe kliente ndërkombëtarë kryesisht në Zvicër, Itali dhe Azi të cilët e kanë vlerësuar shumë si produkt në panaire ndërkombëtare ku kemi qenë pjesë dhe na janë kthyer në klientë. Për sa i përket markës ONUS, “target group” ynë kryesor është shtresa e mesme, ku ofrojmë një raport maksimal cilësi – çmim. Gjithashtu, veç linjës së veshjeve të gatshme, kemi edhe një linjë veshjesh që bëhen sipas masave me porosi me modelin që klienti dëshiron. Kjo është linja ONUS Silver e cila është më premium edhe ofron një gamë shumë të gjera copash nga ku mund të zgjidhet.
Një linjë e tretë e cila quhet ONUS Gold është linja jonë e luksit ku futet Printimi 3D dhe personalizimi pakufi, në kombinim me copat më prestigjioze italiane, angleze dhe franceze.
Gjithashtu japim mundësinë e marrjes me qera të këtyre produkteve dhe për herë të parë në treg kemi krijuar modelin e qerasë së personalizuar ku fustanet personalizohen në mënyrë të posaçme për çdo rast edhe kur merren thjesht me qera.
Fustanet e linjës ONUS Gold, janë vlerësuar edhe jashtë vendit sidomos në tregun aziatik në të cilin kemi disa klientë të rëndësishëm.
Për t’u kthyer edhe njëherë tek dashuria jonë: kravatat tona, me atë që po ndjekim, pikërisht për faktin se janë të personalizuara dhe unike nga një përdorues tek tjetri, janë shndërruar në një mundësi e shkëlqyer dhurate për evente të ndryshme. Vetë ne, me rastin e vitit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, zgjodhëm 20 personazhe të njohur të botës shqiptare për t’i bërë pjesë të projektit tonë me kravata të personalizuara. Secila nga to është bërë me dorë dhe ka kërkuar minimalisht 29 orë pune. Të ardhurat nga shitja e tyre, kanë shkuar të gjitha për bamirësi.
Për kuriozitet, cilët janë këta personazhe, mund t’I thoni emrat e tyre?
Jo, nuk mund t’i themi, por ata dallohen shumë lehtë nga një veçanti: janë 19 burra dhe një grua që kanë kravatat më të bukura në Tiranë.