Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka kritikuar ashpër qeverinë për faktin që nuk ka lëshuar pe përballë kërkesave amerikane dhe europiane për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.
Me anë të një shkrimin në Facebook Thaçi thekson se “tekat personale” të asnjë udhëheqësi nuk duhet të prekin interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë.
Suksesi historik i Kosovës do të ishte i pamundur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tjerë perëndimorë, kujtoi Thaçi.
Postimi i plotë
Duhet të jemi krenarë për lirinë që e gëzojmë dhe për ndërtimin e shtetit tonë. Jo shumë vite më parë, kjo ishte vetëm një ëndërr e largët. Tani është realitet i përjetshëm.
Rrugëtimi ynë ishte tepër i gjatë dhe me plotë vështirësi e sakrifica. Por, ne nuk ishim të vetmuar përgjatë këtij rrugëtimi.
Suksesi ynë historik do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Prandaj, duhet të jemi mirënjohës përgjithmonë.
Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane.
Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit.
Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës.
Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë.
Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në.
Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë. HTH