Niko Peleshi është një politikan që arriti majat e pushtetit, por me një arsim tepër të dyshimtë.
Ai ka ushtruar detyrën si Kryetar i Dhomёs sё Tregtisё Korçё, si prefekt i qarkut të Korçës dhe më pas si Kryetar Bashkie. Ka mbajtur postin e zv/kryeministrit në mandatin e parë të qeverisë “Rama” dhe më pas Ministër i Bujqësisë në mandatin e dytë.
Por arsimi i zotit Peleshi ka fakte tepër interesante. Sipas CV-së me firmën e tij, dorëzuar në KQZ, ai e ka filluar universitetin në vitin 1989 dhe e ka vazhduar deri në vitin 1992. Pra, ka bërë vetëm 3 vite, në Universitetin Politeknik, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, në degën Elektronikë.
Më pas, zoti Peleshi ka bërë një shkëputje disavjeçare si emigrant në Gjermani. Është rikthyer në Shqipëri si biznesmen. Dhe në vitet 2000 – 2002 ka vazhduar vitet e mbetura të shkollës. Sipas CV-së së tij, zotit Peleshi i janë dashur 13 vite që të mbaronte shkollën e lartë. Ai është rikthyer në universitet, pikërisht kur i hyri karrierës së tij politike. Burimet e ndryshme në rrugë jozyrtare bëjnë me dije për Top Story-n se Niko Peleshi nuk e ka marrë asnjëherë diplomën e shkollës së lartë, për këtë ne i bëmë një kërkesë zyrtare me shkrim Universitetit Politeknik të Tiranës, por ky institucion nuk ktheu asnjë përgjigjie.
“Ne më shumë kemi në Parlament badigardë dhe kemi mundës dhe forca speciale sesa kemi akademikë”, tha Afrim Krasniqi, Insituti i Studimeve Politike.