Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi përmes një deklarate për mediat u shpreh se dekani i fakulteti të Drejtësisë, Artan Hoxha ka ushtruar presion ndaj studentëve të këtij fakulteti duke u rreshtuar në krah të pushtetit.
Bardhi shtoi faktin se PD-ja dënon me forcë çdo akt dhune ndaj studentëve, ndërsa dekanin e Drejtësisë e quan një shërbëtor besnik të shefit të qeverisë, Edi Ramës.
“Jam sot përpara medias, jo vetëm si përfaqësues i Partisë Demokratike, por edhe si ish- student i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, për të dënuar në emër të opozitës, presionin kriminal ndaj studentëve nga një pseudo pedagog që rreshtohet në krah të pushtetit dhe kundër studentëve.
Edi Rama përdori javën e kaluar presionin policor dhe dhunën për të shuar protestën legjitime të studentëve në mbarë vendin.
Pasi dështoi të shantazhonte studentët me policët e Safet Gjicit apo Sandër Lleshajt, sot media ka publikuar faktet sesi ai po përdor Safet Gjicët e tij brenda botës akademike.
Artan Hoxha, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, një shërbëtor i Edi Ramës dhe pushtetit brenda botës akademike, ka guxuar të kërcënojë studentët e Fakutetit të Drejtësisë me metoda kriminale. Faktet e bëra publike në media provojnë sesi shërbëtori i Edi Ramës ushtron presion ndaj studentëve që ata të mbyllin protestën legjitime të tyre për një arsim më cilësor.
Artan Hoxha ka arsye për t’i shërbyer Edi Ramës, jo vetëm për mbështetjen që ky i fundit i ka dhënë në karrierën e tij profesionale, por mbi të gjitha për paligjshmëritë e së shkuarës.
Ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë Artan Hoxha, sot Dekan i Fakutetit të Drejtësisë, ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje për habinë që shkaktoi përgjigja e tij përpara Parlamentit për dhurimin nga i vëllai të 200 mijë dollarëve, të cilave nuk i dihej burimi.
Artan Hoxha ende nuk ka dhënë përgjigje për pasurinë e tij të paligjshme, sesi brenda pak kohësh, me kursime familjare, arriti të blinte një apartament me sipërfaqe 120 m2 në Tiranë, një apartament tjetër në plazhin e Golemit në Kavajë dhe një sipërfaqe toke 700 metër katrorë në zonën turistike të Qerretit në Kavajë.
E gjithë karriera e tij dhe pasuria e paligjshme që ka krijuar, janë arsye e vërtetë se përse Artan Hoxha, kërcënon studentët e tij, që kërkojnë jo vetëm një arsim cilësor dhe uljen e tarifave të studimit nga Qeveria, por edhe largimin nga bota akademike të pedagogëve të korruptuar dhe vetting ndaj stafit akademik në universitete.
Artan Hoxha dhe çdo pedagog i korruptuar që rreshtohet sot në krah të Edi Ramës dhe kundër studentëve, duhet të ketë të qartë se nuk ka shërbim ndaj pushtetit që i shpëton ato nga paligjshmëria.
Partia Demokratike dënon fuqimisht aktin kriminal të Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe i bën thirrje pedagogëve të ndershëm dhe me integritet brenda këtij Fakulteti të dënojnë aktin prej banditi të Artan Hoxhës dhe të rreshtohen në krah të studentëve”, tha ai.
/balkanweb/