Aleatët e NATO-s dhe një grusht vendesh partnere po përgatiten për stërvitjen e përbashkët ushtarake të konsideruar si e madhja në dekada.
Përpara stërvitjes së quajtur “Trident Juncture”, që pritet të përfshijë 45 mijë trupa, 10 mijë mjete, 60 anije dhe 150 avionë nga 31 vende, të trajnuar krah për krah njëri-tjetrit në Norvegji gjatë kësaj vjeshte, aleanca perëndimore kërkon të theksojë forcën dhe transparencën, e sigurisht edhe “thjesht” të ftojë vëzhguesit rusë, në mënyrë që ta marrin nga afër mesazhin.
Admirali i Marinës amerikane që drejton stërvitjen shpreson që Rusia ta pranojë oferën që i bëhet.
“Pres me padurim që ata të duan të vijnë. Është në interesin e tyre që të vijnë dhe të shohin se çfarë bëjmë ne”, tha admirali James Foggo për reporterët e pranishëm në Pentagon, gjatë së premtes. “Ata kanë për të mësuar shumë gjëra. I dua ata të jenë të pranishëm, pasi dua që të shohin sesa mirë punojnë bashkë aleatët dhe partnerët e NATO-s”.
“Kemi një mesazh të fortë parandalues që duam të dërgojmë, – tha më tej ai. – Ata duhet të shohin se ne jemi shumë të mirë në atë çfarë bëjmë. Kjo gjë do të ketë efekt parandalues ndaj çdo vendi që ndoshta mund të dojë të kalojë kufijtë e lejueshëm, por veçanërisht për një komb”.
Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nëse Rusia e ka pranuar ofertën.
Stërvitja, bazuar në nenin 5 që bën fjalë për mbrojtjen kolektive, do të përfshirë gjithçka nga toka, ajri dhe asete amfibe, sikurse edhe stërvitje për të zmbrapsur kërcënimet e kundërshtarëve ndaj sovranitetit të një aleati apo partneri të NATO-s.
Admirali refuzoi të komentonte nëse stërvitja në fjalë do të përfshijë apo jo një element bërthamor, siç përfshiu edhe një stërvitje e mëhershme gjatë këtij viti e Rusisë.
Megjithatë, ajo që dihet me siguri nga raportimet është se kjo stërvitje do të jetë më e madhja e zhvilluar ndonjëherë nga NATO që prej Luftës së Ftohtë, e sigurisht më të mëdha sesa ato të mbajtura në vitin 2002.
Stërvitja mes aleatëve vjen në një kohë me “lojërat e luftës” që po zhvillohen në lindje të Rusisë, ku përfshihen dhjetëra, në mos qindra apo mijëra trupa ruse dhe kineze, duke u përgatitur për operacione të shkallës së gjerë ushtarake kundër “një vendi të tretë” të paspecifikuar.
Qëllimi i “Trident Juncture”, sipas letrave të prezantuara gjatë së premtes nga admirali, është “të garantohet se forcat e NATO-s janë të trajnuara, të afta të operojnë së bashku dhe në gatishmëri për t’iu kundërpërgjigjur çdo kërcënimi, nga çdo anë e globit”.