Një polic dhe 1 avokat janë arrestuar nga SHÇBA-ja, pasi dyshohet se ushtronin ndikim të paligjshëm te gjyqtarë dhe prokurorë duke marrë para.
Haki Dyli, polic në Gjykatën e Tiranës, dhe Devis Qana, avokat, janë arrestuar pasi disa muajsh hetime.
Njoftimi i plotë:
SHÇBA ndalon 1 punonjës policie dhe 1 avokat, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë në këmbim të shpërblimeve monetare
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka ekzekutuar 2 urdhër ndalimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për:
– Inspektor Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës;
– Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.
Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas një hetimi me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme. Të dy këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore. Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2.000 euro.