Lulishtes përballë Presidencës i janë shtuar dy “banorë” të rinj, aq të dashur për fëmijët, Çufoja dhe Bubi Kaçurrel, të cilët këtë vit kanë mbushur 40-vjeç.
Dy personazhet, që kanë shoqëruar fëmijërinë e shumë shqiptarëve, janë përjetësuar tashmë jo vetëm në kujtesën tonë me batuat e tyre, por edhe përmes instalacionit të ideuar dhe konceptuar nga artisti Eljan Tanini.
Vepra artistike “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” vjen si një promemorie në 40 vjetorin e botimit të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka, dhe imiton letrat origami të zmadhuara, si një mënyrë për të ngacmuar memorien e të rriturve, por edhe për të nxitur fëmijët të frekuentojnë këndin e lojërave aty pranë.
Instalacioni u përurua nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ideatori Eljan Tanini dhe krijuesi i dy personazheve, shkrimtari Gaqo Bushaka.