Me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafurr Mazrekun “Qytetar Nderi” të Hasit.
Mazreku u nderua me motivacionin “Personalitet Intelektual, për kontributin e pashoq ne Pushtetin Vendor”.
Vendimi është kundërshtuar nga Këshilltarët e djathtë të cilët kanë braktisur mbledhjen në shenjë proteste ndaj propozimit dhe vendimit të shumicës.
Gafur Mazreku është i njohur për skenën politike shqiptare, pasi me 18 shtator të vitit 1997 brenda ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, pas një sherri verbal dhe më pas fizik me deputetin Azem Hajdari ai nxori armën dhe plagosi Hajdarin. Një vit pas atentatit nga Gafurr Mazreku, Azem Hajdarin e përndjek fati tragjik dhe ekzekutohet nga Fatmir Haklaj pranë selisë së PD në 12 shtator 1998.
Por edhe pse këshilltarët socialistë kanë marrë tashmë një vendim, vota e tyre nuk ka mbështetjen e kryetarit të PS dhe kryeministrit Edi Rama. Rama ka thënë se ky propozim i turpshëm s’duhet të ishte bërë kurrë.