Rruga që të çon në kalanë e Borshit, por edhe në fshatin Fterr është tërësisht e amortizuar. Edhe pse shpesh është ngritur si shqetësim nga banorët ajo vijon të jetë e tillë. Në kohë fushate nuk kanë munguar deklaratat për një shtrim të mundshëm të saj, por gjithçka ka mbetur në saj të premtimeve.
Banorët e Borshit thonë se lagjia Kala e ka mjaft të vështirë për të shkuar në shtëpitë e tyre, por edhe turistët, të cilët janë të shumtë detyrohen të ecin me këmbë ose të marrin kafshë me qera. Borshiotët shprehen se taksat i paguajnë në çdo moment, por deri tani nuk po marrin asnjë shërbim nga ana e shtetit.
Rruga që të çon në lagjen Kala të Borshit më herët ka shërbyer edhe si aks nacional që lidhte Vlorën me zonën jugore të bregut. Por që prej kohës së monizmit në rrugën e vjetër kanë mbetur vetëm disa copëza asfalti, të cilat me kalimin e kohës do të kthehen në objekte muzeale.