Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Manjola Xhaxho kalon procesin e vettingut dhe rikonfirmohet në detyrë. Vendimi erdhi sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
“Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Manjola Xhaxho”, deklaroi relatorja e çështjes.
Gjykatësja e cila, siç doli nga shqyrtimi jeton në një apartament 2+1, i cili ishte blerë prej saj në vitin 2000 dhe dhuruar prindërve në vitin 2011, u shpreh se ishte dakord me rezultatin e hetimit administrativ. “Jam dakord me gjetjet e KPK-së, nuk kam asnje objeksion. Sigurisht që kërkoj konfirmimin në detyrë”, tha ajo.
I vetmi problem i ngritur për Xhaxhon, e cila është prej 16 vjetësh gjykatëse në Tiranë, ishte mungesa e deklaratës së interesave personale në vitin 2006, por gjykatësja shpjegoi se gjatë atij viti kishte qenë me studime jashtë vendit.
KPK tha se nga hetmi administrativ rezultonte se subjekti nuk kishte pasuri tjetër dhe se deklarimet e gjykatëses ishin vërtetuar. Relacioni po ashtu vuri në dukje se ndaj Xhaxhos kishte pasur dy ankesa, hetimi i tyre nuk kishte gjetur shkelje.