E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?
Në shkollën tetëvjecare. Ishte një vajzë pak më e vogël se unë, vinte nga Tirana te disa kushërinj të saj në Lezhë, luante basketboll me ne, tregonte gjëra të cuditshme, e shfaqte pëlqimin e saj për mua. Nuk më merrte gjumi deri vonë. Babai flinte, të gjithë flinin në shtëpinë time. Nuk kishte parë e dëgjuar që njëri nga pjestarët e familjes sime të rrinte zgjuar në heshtjen e thellë e të gjatë të natës. Më dukej sikur po përgatitesha për të ikur nga shtëpia. Kjo ishte vizita e parë e dashurisë, apo jo? Nuk jam i sigurt a ishte tamam dashuri. Se herë e kujtoj më vjen keq të them nuk ishte. Tani ajo vajza, që është bërë nënë prej kohësh, është në Itali me familjen e saj.
Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?
Jo, s’ka se si. E fundit vazhdon. Kështu që nuk e di…
Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?
Kanë me shumë hënë, ndoshta!
Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?
E kuruar.
Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?
Për mua një tmerr. Dashuria kalon nga shpirti. Stomaku mund të jetë një nga shtigjet, por jo rruga e madhe.
Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?
Zgjedhje për zgjidhje.
Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?
Devijim i paparashikueshëm. Askush, besoj, nuk krijon një lidhje të vërtetë me mendjen për të tradhëtuar.
Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?
Ndëprerje e dhimbshme.
Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?
Ajo.
Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?
Po të ishte këngë… Ka shumë, shumë këngë. Spanjollja e famshme “Besame mucho” është një prej tyre, por po aq edhe “Natali” e kënduar nga Hulio Iglezias dhe po aq edhe aria shkodrane “Një këllef me ar ta cova” e kënduar nga Bik Ndoja. E tjerë e tjerë.
Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?
Është dhurata që i kam bërë gruas me rastin e ditëlindjes së djalit të dytë: një tufë me lule.
Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?
Shkon përtej saj, por ndiqet nga hija e saj
Kur i thoni një gruaje që e doni?
Kur kuptoj se edhe ajo ka një tërheqje apo ndjenjë ndaj meje.
Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)
Emma Bovary është heroinë e dashurisë dhe viktimë e rrethanave në një mjedis apo botë, mendojeni si të doni, ku dashuria del tepër dhe përfundon keq. Në këtë kuptim gjithkush që pushtohet nga ndjenja e dashurisë është në një fare mënyre zonja Bovary. Unë jam zonja Bovary dhe nuk shpëtoj dot edhe po të kisha mundësi t’i huaja apo dhuroja frangat që ish i dashuri i saj nuk ia jep.
Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?
Fatalitet. Gruaja nuk duket të nxisë ambicie të tilla te burri i saj sepse në mos atë, burrin, do të shkatërrojë lidhjen. Është krejt tjetër gjë mbështetja që një grua e dashur dhe e kultivuar i jep bashkëshortit për të realizuar synimet e tij në art, shkencë, politike, biznes, e tjerë,
Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?
Po të isha në kushtet e tij, domethëne i lirë dhe i pasur po, pse jo.
Marre nga revista MadameMapo