Nga PS, tek PR dhe tani në krye të Partisë Agrare Ambjentaliste
Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë që nga sot do të ketë kryetar deputetin e partisë Republikane, Agron Dukën, i cili ka pasuar themeluesin dhe kryetarin historik të kësaj partie Lufter Xhuvelin. Duket më shumë si një “shitje” e partisë pas 25 vitesh se sa një “zgjedhje” siç thuhet në njoftimin për shtyp të bërë sot nga zyra e PAA-së.
Po si është e mundur që një figurë kontraverse e politikës shqiptare, të cilit duket se më shumë se sa politikan, i djathtë, i majtë apo ambjentalist, ka qenë një lojëtar në fushën e politikës, të vijë në krye të një partie, që konsiderohej deri dje pa peshë në opinionin publik?
Kjo pyetje e gjen përgjigjen jo vetëm tek mënyra se si ka luajtur në politikë Agron Duka, të cilin votuesit e votojnë për të djathtë, ndërsa karrierën e ka bërë si i majtë, duke mos pasur një kostum ideologjik në karrierën e tij, por tek fenomeni tipik shqiptar i tranzicionit politik në këto 25 vite.
Sot nuk çuditemi më kur shohim të ngrihet kartoni i Kastriot Islamit në fushën e Partisë Demokratike, një ish-zyrtar i sistemit komunist, themelues i PS-së dhe deputet i majtë gjysmën e jetës së tij. Kalimi nga një degë në tjetrën, nga një parti në tjetrën, nga një kostum ideologjik në të kundërtin e tij, është veçse një nga tiparet e tranzicionit shqiptar në politikë që mesa duket po vazhdon akoma.
Po pse Agron Duka “braktisi” republikanët për agrarët?
Pavarësisht se merr pagën si deputet, pra si ligjvënës, në fund të ditës ai është dhe mbetet një biznesmen edhe në politikë, ashtu si në jetë. E vetmja lidhje që mund të ketë me agraro-ambjentalistët e Xhuvelit është diploma në Institutin e Lartë Bujqësor për Agronomi.
Për të kuptuar mënyrën si ai luan në biznesin e politikës mjafton të shohim shkurtimisht karrierën e tij në dy dekada.
Ka hyrë në Qeverine e Fatos Nanos në vitin 2001 si Ministër i Bujqësisë. Një demokrat në qeverinë e majtë, e etiketonin gazetat në atë kohë, duke pasur parasysh prejardhjen e tij familjare dhe afërsinë me të djathtën. Por Dukës nuk i interesonte shumë ideologjia, ndërsa qeveriste bashkë me kryeministrin socialist vazhdonte të ishte mik i ngushtë me Bamir Topin, në atë kohë kryetar i grupit parlamentar demokrat. Ndërsa Sali Berisha e bëri hasha si demokrat dhe akuzat ndaj tij ishin të forta. Askush nuk e harron togfjalëshin “Duka i krimit” dhe pse pasardhësit të tij Lulzim Basha iu desh ta kapërdinte për të bërë aleancë me të në zgjedhjet e fundit lokale ku u përfol shumë kandidimi i tij në emër të PD-së.
Duka është zgjedhur si deputet i pavarur në vitin 2001 (me votat të djathta kryesisht), shërbeu për Nanon si ministër Bujqësie, në zgjedhjet e vitit 2005 u shënua humbja e tij e parë e madhe përballë PD-së, më saktë përballë të ndjerit Sokol Olldashi, duke e lënë Dukën pranë selisë së Partisë Socialiste. Në fakt gjatë qeverisjes së gjatë të PD-së 2005-2013 ai u afrua sërish me të djathqën duke mbajtur ca kohë një detyrë të rëndësishme, u emerua si Prefekt i Qarkut Durrës që nga Janar 2011 deri në shtator 2011.
Më pas e gjëjmë sërish tek e majta që përgatitej të vinte në pushtet. U bë pjesë e grupit që hartoi platformën për Bujqësinë për Ramën në vitin 2013, por kur Rama e la jashtë listës së kandidatve ai shkoi me vrap tek Fatmir Mediu duke u zgjedhur deputet i Republikanëve. Në zgjedhjet e fundit vendore u përpoq të kandidante në emër të koalicionit opozitar të djathtë, por mesa duket Sali Berisha nuk pranoi të “lëpinte atë që kishte pështyrë mbi të”, dhe Duka u detyrua të pranonte publikisht mbështetjen e tij për kandidaten e PD-së, Grida Duma.
Por, edhe pse nuk i dolën llogaritë për tu bërë kryebashkiak i Durrësit, mesa duket ai e ka gjetur një rrugë të re për të qenë sërish në politikë, pa ideologji, me llogari të pastra, bëhet pasardhës i Lefter Xhuvelit, vetëm pas dy takimeve me të. I leverdiste më shumë një parti e marrë gati se sa të ndërtonte një të re.
Nesër do e shohim të bëjë negociata majtas e djathtas për koalicione politike ndërkohë që vazhdon të jetë një biznesmen i sukseshëm me drejtimin e disa kompanive dhe rrjetesh supermarkatesh.