Pas mbledhjes së djeshme të kryesisë së PD –së, mbi ndryshimet statutore, ka reaguar anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edvin Kulluri.
Kulluri, i cili është dhe një nga propozuesit e ndryshimeve statutore ka radhitur disa arsye, që sipas tij tregojnë se PD po vazhdon të endet në kotësinë e Bashës.
Sipas Kullurit mbledhja e djeshme ishte zhgënjyese për pesë arsye arsye.
“Së pari sepse grupi i punës nuk ka bërë punë, por thjesht ka lexuar përciptas propozimin tonë për një statut të ri. Kjo është krejtësisht e pamjaftueshme dhe jo serioze”, ka thënë Kulluri.
Së dyti, sipas Kullurit, dokumenti ngjante si një “sallatë ruse”, duke përfshirë copëza propozimesh, por jo një dokument integral dhe të logjikshëm.
“Së treti, Zoti Basha duke mos u shprehur, të jep përshtypjen se po fiton kohë për të qëndruar në krye të partisë, por pa një qëllim politik në interes të së djathtës dhe qytetarëve. Së katërti,heshtja e pjesës më të madhe të anëtarëve të kryesisë është shprehja më e qartë e atrofizimit të lidershipit të partisë”, ka thënë më tej Kulluri.
Sipas anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD –së, Edvin Kulluri, arsyeja tjetër dhe ajo që ka rëndësi në fund të fundit, është zvarritja pa fund e PD në krizën e saj politike, programore dhe organizative, duke i zgjatur jetën një qeverie që ka hyrë në “gjendje kome”.
“Pa një opozitë të besueshme për vetë elektoratin e djathtë, nuk mund të ketë një alternativë për shumicën e shqiptarëve. Po bëhet gjithnjë e më e qartë që PD është një dyqan i bukur i parë nga jashtë, por pa mall brenda. Fasadë politike pa thelb”, ka thënë ndër të tjera Kulluri.