“Mirë se vini në parkun kombëtar Bjeshkët e Nemuna”, shkruan në tabelën që është e vendosur nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, me të cilën iu uron mirëseardhje vizitorëve të bjeshkëve të bukura të Komunës së Istogut. Vetëm 10 metra pasi ta kalosh tabelën e njoftimit, të shfaqen pamjet tmerruese të humnerave me dhjetëra metra të thella, të krijuara nga dy gurëthyesit që po e gërmojnë dhe degradojnë tokën pa mëshirë, ndërsa pronarët thonë se janë me leje nga Ministria e Ambientit!
Kjo gjë i ka shqetësuar tej mase banorët e fshatit Vrellë të Komunës së Istogut, fshat mbi të cilin ndodhen këta gurthyes, të cilët po e gërmojnë tokën dhe po e shkatërrojnë natyrën që prej 20 vjetësh, shkruan Indeksonline.
Banorët thonë se, përveç dëmtimeve të pariparueshme, që u janë bërë dhe po u bëhen Bjeshkëve të Istogut, tashmë po u rrezikohet edhe jeta e tyre dhe e kafshëve.
“Nëse shteti nuk merr masa t’i ndalë këta gurthyes, një ditë natyra do të hakmerret pamëshirshëm ndaj nesh, duke shkaktuar ndonjë tragjedi njerëzore”, thotë Idriz Blakaj, kryetari i fshatit, teksa tregon me dorë digën ranore, e cila ka ardhur gjithnjë duke u holluar, për shkak se është gërryer nga makineritë e rënda të këtyre gurëthyesve.
“Një ditë ka me ardhë naj ujë i madh prej bjeshkëve dhe ka me u grumbullu, këtu në këto gropa, kjo digë nuk mundet me e përballu presionin e ujit, sepse kjo është krejt zall dhe rrezikon me e shpërthy digën dhe na merr krejt fshatin”, shprehet i shqetësuar Blakaj, teksa na shoqëron për në vendin ku ndodhen makineritë e gurëthyesve.
Rrugës takojmë disa kamionë të mbushur përplot me zhavorr, shoferët e të cilëve na shikojnë me habi, sapo futemi në zonën ku po gërmojë bagerët e kompanisë “Aleni” makineritë ndalin punën.
Kryetari i fshatit, i cili ishte i shoqëruar me disa banorë të tjerë, na tregon vendin ku inspektorët e Ministrisë së Ambientit dhe ata të Komisionit për Miniera dhe Minerale ia kishin ndaluar gërryerjen e mëtutjeshme kompanisë për shkak se rrezikon të shembet një masiv i tërë shkëmbor, e pikërisht në atë vend ishin duke punuar bagerët dhe kamionët pandërprerë. Pas pak vjen një makinë xhip, me xhama të zinj, nga e cila zbresin dy persona e ku njëri prej tyre ishte edhe vetë pronari.
Duke e parë se ne ishim të shoqëruar nga kryetari i fshatit dhe disa banorë, ai me një reagim të zbutur na përshëndet dhe na kërkon arsyet se pse kemi hyrë në territorin e tij.
“Qysh pse kena hi? A po e sheh se çka je tu na ba o Fadil, a po don me na largu krejtve prej katunit a, kqyre çka u ke ba bjeshkëve, i ke hangër krejt, që 20 vjet je tu naj damtu katunin, boll ma kështu nuk shkon, dikush ka me shku në burg për këtë punë, se kjo çka keni ba është krim”, i drejtohet i mllefosur kryetari i fshatit, pronarit të gurthyesit.
“Nëse unë shkoj në burg vjen edhe dikush me mu, se unë krejt këtë punë e kam ba me leje të ministrisë e të komunës, i kam me dokumente e me krejt”, ia kthen Fadil Dreshaj, i cili është pronar i kompanisë “Aleni”, gurëthyesit që sipas banorëve po vazhdon të gërmojë në mënyrë të paligjshme, pasi që ai i ka tejkaluar edhe lejen që ia ka dhënë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës.
Fadil Dreshaj fillimisht heziton të flasë para kamerës, mirëpo pas insistimit tonë ai na thotë se që nga paslufta ka filluar gërmimet në këtë lokacion me leje të ministrisë e të komunës dhe se me letra është gjithçka në rregull. Pronari i gurëthyesit është i vetëdijshëm se me ligj është i detyruar t’i gjelbërojë dhe rehabilitojë zonat ku ka gërmuar dhe thotë se këtë do ta bëjë në të ardhmen, por këtë gjë kompania nuk e ka bërë për 20 vjet me radhë.
Nga ajo që shihet në terren, gjelbërimi dhe riparimi i dëmeve është i pamundur dhe këto konstatime banorët thonë se i kanë nxjerrë edhe vetë inspektorët e Ministrisë së Ambientit dhe të Komisionit për Miniera dhe Minerale, të cilët i kanë vizituar këta gurëthyes para 10 ditësh. Është i çuditshëm fakti se si këta inspektorë nuk ia kanë ndërprerë punën, por vetëm ia kanë kufizuar gërmimet në terren, kufizime këto që nuk po përfillen aspak nga gurëthyesit. Banorët thonë haptas se këtu ka korrupsion të madh nga niveli lokal deri tek ai qendror. “K’ta ua kanë mush xhepat inspektorëve e komunarëve për qata nuk ua nalin punën k’tyne, vetë kryetari i Komunës së Istogut bashkë me vllaznit e vet kanë gurthyes, ai me ua nal punën k’tyne këtu duhet me ia nalë edhe vetit, që e kanë gurthyesin n’midis fshatit Cercë”, tregon njëri nga banorët, teksa bën me gisht në drejtim të fshatit Cercë. Nga larg vërehej një re pluhuri që e kishte mbuluar fshatin, e cila dilte nga gurthyesi i firmës “Ma-Con”, që është vendosur në mes të fshatit Cercë, i cili u takon kryetarit të komunës dhe vëllezërve të tij, z. Haki Rugova.
Ngjitur me kompaninë “Aleni” ndodhet gurthyesi tjetër “Guri”, për të cilin banorët thonë se ministria ia ka revokuar lejen për shkak të degradimit që i është bërë vendit ku ka gërmuar, mirëpo aty vazhdojnë të punojnë bagerët dhe makineritë e tjera, pa u penguar nga askush dhe inspektorët nuk kanë ardhur për ta kontrolluar më. Në punishten e kompanisë “Guri” ishte edhe pronari i saj me disa punëtorë, i cili na bën me dorë që të largohemi dhe të mos filmojmë, ndërsa ne për shkaqe sigurie nuk afrohemi më tutje.
Banorët e fshatit Vrellë disa herë kanë bërë kërkesa dhe peticione, si në komunë po ashtu edhe në ministri, për t’i larguar këta gurthyes nga fshati i tyre, kërkesa të cilat kanë hasur në vesh të shurdhët nga institucionet e shtetit.
“U bëjmë thirrje komunës, ministrisë dhe krejt institucioneve shtetërore që të marrin masa sa ma shpejt për me parandaluar ndonjë tragjedi, sepse këtu vijnë fëmijët dalin e shëtisin dhe me ra në këto humnera poshtë ata vdesin në vend. Po shteti jonë e ka ni t’keqe, se merr masa vetëm masi të ndodhë tragjedia, por atëherë është vonë’’, thotë Idriz Blakaj.
Banorët thonë se nëse shteti nuk ndërmerr masa urgjente për t’i ndalur këta gurëthyes, ata do ta bëjnë vetë një gjë të tillë, por atëherë do të ndodhë më e keqja dhe përgjegjësinë do ta mbajë shteti…
Ndërsa, në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se operatori “TE ALENI “ posedon dokumentacionin: Pëlqim mjedisor dhe leje mjedisore të lëshuar nga MMPH, ndërsa operatori “Guri“ , për shkak të moskompletimit të dokumentacionit nga MMPH , nga Inspektorati i mbrojtjes së mjedisit me aktvendim i është ndërprerë aktiviteti i punës ,derisa të pajiset me leje mjedisore nga MMPH. Megjithëse ministria thotë se është duke e përcjellë gjendjen, në terren gjendja është krejt ndryshe, pasi që aty që prej 10 ditësh banorët thonë se aty nuk kanë shkuar inspektorët e ministrisë, raporton Indeksonline.
Derisa po qëndronim aty takojmë një bari me dhjetëra dhi i cili po i çonte për t’i kullotur rrëzë maleve, ku këtyre kafshëve ua kanë ndërprerë rrugën këto humnera të krijuara nga njeriu, rrugë të cilën ua kishte krijuar natyra, ndërsa tash ai detyrohet t’i fusë dhitë nëpër ato gropa gjigande për t’i kaluar në anën tjetër për të kullotur.
Banorët thonë se kjo zonë dikur ka qenë e gjelbëruar dhe ka pasur me dhjetëra shpella, ku janë strehuar kafshët dhe barinjtë dhe kanë ardhur turistë nga vende të ndryshme për t’i vizituar ato.
Mirëpo, këtu tashmë është shkatërruar gjithçka, dora e njeriut është treguar e pamëshirshme ndaj këtyre bukurive natyrore dhe përgjegjësinë më të madhe pa dyshim që e kanë institucionet e shtetit, të cilat kanë lejuar të ndodhë një gjë e tillë.
http://indeksonline.net/gurthyesit-po-shkaterrojne-bjeshket-e-istogut-pamje-deshperuese-foto-video/