Në moshën 91-vjeçare, në shtëpinë e së bijës që jetonte në Ankara të Turqisë ka ndërruar jetë shkrimtari Kasëm Trebeshina.
Shkrimtari është përcjellë sot në orën 14.00 për në banesën e fundit në varrezat e Tiranës.
Trebeshina i bëri ballë luftës me pushkë e penë. Ai u rebelua hapur ndaj politikës ndërsa mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re.
Ai nuk u pajtua me politikën moniste të partisë ku bënte pjesë dhe për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim.
Kasëm Trebeshinalindi në Berat, me 8 gusht të vitit 1926.
Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare.
Pjesa më e madhe e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90.
Melankoni
*Poezi nga Trebeshina, e shkruar në burg në vitin 1954
Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.
Jemi fare pran’ në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë!