Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker deklaroi hapur se nuk e dëshiron pavarësinë e Katalonjës, duke e komplikuar kështu qeverisjen e BE-së.
Kreu i krahut ekzekutiv të bllokut tha si me shaka se Bashkimit Europian nuk i vjen për shtat të numërojë me dhjetëra anëtarë pas një dekade e gjysmë për shkak të shkëputjes së territoreve nga anëtaret ekzistuese.
Ish kryeministri i Luksemburgut shtoi se Komisioni nuk do t’i përgjigjet thirrjeve për ndërmjetësim nëse këtë ia kërkon vetëm njëra palë. Tendencat separatiste në Europë e shqetësojnë shefin e KE-së, i cili e inkurajoi kreun e ekzekutivit spanjoll Mariano Rajoy ta vërë gjendjen nën kontroll. BE-ja ka shprehur besimin se Rajoy do të arrijë të zgjidhë atë që blloku e sheh si çështje të brendshme të Spanjës.
Në 11 tetor, Madridi zyrtar i la presidentit të Katalonjës 5 ditë afat për të sqaruar saktësisht nëse do të shpallë apo jo pavarësinë e rajonit autonom, e në rast se ai e konfirmon një gjë të tillë, ka dhe tre ditë të tjera në dispozicion për ta përmbysur vendimin.