Pas helmimit të 19 nxënësve një javë më parë, Inspektoriati Shtetëror shëndetësor në Shkodër ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të shkollës së mesme “Nikolle Lleshi”, njëkohësisht ka gjobitur edhe drejtorinë e shëndetit publik Pukë, për mos kryerjen e rregullt të procesit të dezinfektimin.
Proces ky që duhet të kishte përfunduar disa ditë përpara fillimit të vitit të ri shkollor.
“Për sa i përket situatës në shkollën e mesme të bashkuar në Gjegjan të Pukës, u ngrit grupi i inspektimit i cili mori masat për pezullimin e përkohshëm të shkollës dhe ambienteve ku ishte bërë dezinfektimi. Ndërkohë pas verifikimeve është marrë masë administrative edhe ndaj Drejtorisë së Shëndetit Publik në punë për shkelje të rregullave sanitare.”, tha Arsida Tyli, Kryeinspektore e ISHSH.
Tyli pranoi se edhe ne shkollat e Bashkisë Shkodër ka probleme të mos dezinfektimit, për këtë kërkoj ndërhyrje nga pushteti vendor. “Ka shkolla që kanë probleme që kanë nevojë për ndërhyrjen e Bashkisë dhe i kemi dërguar shkresa zyrtare e raportime Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Tyli.
Me 4 Tetor, 19 fëmijë të shkollës Gjegjan, kanë pasur simptoma te njëjta, marrje mendsh, dhe të vjella, e njëjta situatë është përsëritur edhe të Hënën, ndërsa tetë fëmijë kanë përfunduar në spitalin e Shkodrës.