Në një takim të zgjedhur me gratë dhe vajzat në uniformë, ku merrnin pjesë edhe ambasadorët e vendeve të NATO-s të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vlerësoi rolin e gruas në shoqëri, duke veçuar sakrificën e grave dhe vajzave ushtarake.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Xhaçka u kujdes t’u dhuronte nga një lule me urimin përkatës mbi 1300 grave dhe vajzave që shërbejnë në Forcat e Armatosura Shqiptare.
“Të gjitha ju, jeni të admirueshme të dashura, gra e vajza! Jeni shembulli frymëzues, për modelin që jepni dhe dashurinë që dhuroni me përkushtimin për ta dashur e mbrojtur Shqipërinë tonë, për të mbrojtur lirinë dhe paqen e vendeve, ku ju, shpesh angazhoheni në misione, larg familjes.
Detyrimi im, detyrimi ynë është disafish karshi jush. Misioni ynë do të jetë i paplotë nëse nuk lobojmë fuqishëm për të drejtën e gjithësecilës për të qenë kudo e suksesshme, edhe ndër radhët e Forcave të Armatosura.”