Katër automjete luksoze të dyshuara si të vjedhura në Itali, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sekuestruar nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Stolen Line”.
Sipas njoftimit zyrtar, vlera e mjeteve të sekuestruara arrin rreth 200 mijë euro, ndërsa hetimet kanë çuar në procedimin penal të dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, të dyshuar për trafikim të automjeteve luksoze me qëllim shitjen në tregun shqiptar.
Nga veprimet hetimore, është proceduar penalisht shtetasi S. C., i dyshuar për trafikimin e një automjeti tip “Jeep”, i cili rezulton i vjedhur në Itali. Po ashtu, është proceduar edhe shtetasi E. Ç., i dyshuar për trafikimin e një “Range Rover”-i të vjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy shtetas të tjerë: E. J., i dyshuar për trafikimin e një automjeti tip “BMW” të vjedhur në Gjermani, si dhe R. R., i dyshuar për trafikimin e një “Seat Cupra” të vjedhur në Itali.
Policia bën me dije se të katër automjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të rrjetit të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
gijotina.com/








