Mirald Metallari, djali nga Bathorja që tronditi opinionin tre ditë më parë duke vrarë babanë dhe duke plagosur të ëmën, ka dalë sot para gjyqit për masën e sigurisë.
Ai ka deklaruar se nuk donta ta vriste babanë, se ishte penduar, por se tani asgjë nuk mund të kthente më pas. Nga gjyqi, i ka dërgjuar një mesazh të ëmës, që po kurohet në spital:
“Jam penduar që e vrava babin, ishte shtylla e familjes, ishte mbështetja kryesore. E di që nëna s’do më falë, por i kërkoj të bëhet e fortë.”
Gjykata e Tiranës i ka dhënë më pas masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Mesditën e datës 24.07.2017, Mirald Metallari dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë tip pistoletë babain e tij, shtetasin Miftar Metallari, si edhe ka plagosur nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari.
Me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kontakti i parë është mësuar se shtetasi Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka patur me të atin, shtetasin Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.
Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dal nëna e tij shtetasja Nurie Metallari e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.
Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se shtetasi Mirald Metallari menjëherë pas ngjarjes është larguar me një automjet të markës “Ford”, për të transportuar nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari në spitalin e traumës Laprakë.
Me marrjen e këtij njoftimi, nga ana e Policisë u bë ndalimi i mjetit në rrugën “Lord Bajron, ku njëkohësisht u bë edhe ndalimi i shtetasit Mirald Metallari si dhe është bllokuar arma e zjarrit tip pistoletë, model “TT”.