Shpërblehet besnikëria! Më 12 shkurt 2025, qindra mbështetës të Erion Veliajt u mblodhën para SPAK duke protestuar kundër arrestimit të kryebashkiakut të akuzuar për korrupsion. Një nga më të dalluarit ishte biznesmeni Florjan Muha, që thërriste “Lironi Erionin! Kryetar të presim në bashki!”.
Një vit më pas, Florjan Muha përfiton një tender që e ka fondin limit 1 miliard lekë. Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë “Rehabilitimi i rrugëve të bllokut që kufizohet nga rrugët “3 Dëshmorët” – “Kadri Roshi” dhe “Panajot Pano”.
Janë 103.5 milionë lekë të reja të financuara nga taksapaguesit e Bashkisë Tiranë për vitin 2026, të ndara për këtë projekt.

Në tenderin e mbajtur më 2 mars 2026, kanë marrë pjesë 26 operatorë ekonomikë. Pjesëmarrja e tyre ka shërbyer vetëm sa për fasadë, sepse tenderi ka qenë me fitues të paracaktuar.
Jo vetëm që fituesi dihej, por bashkia kishte hartuar një fond limit të fryrë që të kënaqte klientin e Erion Veliajt.

Blloku që rehabilitohet ka tre rrugë kufizuese. Njëra preh tyre është Kadri Roshi. Është një rrugë model, me asfalt, me vizime, me sinjalistikë vertikale, korsi bicikletash.
Rruga tjetër është “3 dëshmorët”. Edhe kjo, sic mund të shihet nga pamjet, nuk ka nevojë për rehabilitim.

Po ashtu, rruga “Panajot Pano” është në gjendje shumë të mirë, Ndoshta mund të bëhen rregullime në sheshet brenda pallateve, por ato nuk janë rrugë. Janë vetëm 5 rrugica lidhëse. Ky bllok është rehabilituar dhe inauguruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj në vitin 2024, prandaj është e dyshimtë që janë parashikuar 1 miliard lekë për ta rregulluar sërish.
Fakti që projektin e ka bërë një studio e lidhur me aferat qeveritare, të lë të dyshosh se tenderi është hartuar thjesht për t’i dhënë këtë fond Florjan Muhës. Projekti teknik është hartuar nga studio “A&E Engineering”, e drejtuar nga arkitektja Entela Çano. Ajo është marrë e pandehur pak javë më parë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për tendera të dyshimtë në bashkinë e Kolonjës.

Në projektin e porositur nga Bashkia e Tiranës, thuhet se “Gjatësia e segmentit rrugor është afërsisht 764 m. Rehabilitimi i rrugëve të bllokut që kufizohet nga rrugët “3 Deshmorët” – “Kadri Roshi” dhe “Panajot Pano” kërkon rehabilitimin e 6 akseve rrugore, me të gjithë elementët e infrastrukturës rrugore. Është projektuar një aks kryesor, aksi 1, nëpërmjet të cilit lidhen dhe akset e tjera, përkatësisht aksi 2, 3, 4, 5 dhe 6”.
Nga ana tjetër, ofertat e bëra në këtë tender nga kompanitë e nxjerrin zbuluar bashkinë.

Kështu oferta fituese është 594 milionë lekë, pa përfshirë TVSH, ndërsa oferta më e lartë është 868 milionë lekë. Në cilin treg i gjen shifrat bashkia Tiranë, që e llogarit fondin limit më tepër se 1 miliard lekë?
Ndërsa komisioni i vlerësimit është kujdesur të eliminojë nga gara edhe ofertat më të ulëta. Megjithëse kishte propozime më ekonomike, “Inerti” SHPK do të shpallej fituese më 30 mars 2026 dhe është ftuar nga Anuela Ristani të vazhdojë me firmosjen e kontratës. Për shkeljet e konstatuara, Open Data Albania e ka shenjuar procedurën me “Flamur të kuq” të korrupsionit.
Biznesmeni Florjan Muha është pronar dhe administrator i kompanisë “INERTI” shpk. Sipas të dhënave të Agjencisë Prokurimit Publik, firma rezulton se ka marrë 48 tenderë publikë në të gjithë vendin, një pjesë e madhe e të cilave nga Bashkia e Tiranës.
Nderkaq “Inerti”sh.p.k në vitin 2022 ka marrë leje nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të ndërtuar pallate 7,8 dhe 9 kate me parking nëntokësor në rrugën “Hamdi Sulcebe” në kryeqytet.
Në Tiranë, në vitin 2024, Muha ka marrë tenderin për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Erdit Durham” me vlerë afro 5 miliardë lekë, të cilën Akoma nuk po e mbyll, megjithëse i ka shkelur afatet disa herë.

Sipas dokumenteve te tenderit, punimet duhet të mbylleshin për 10 muaj. Kaloi afati, por në shkollë kishte vetëm ca skella dhe betoniere.
“Shqetësimi” i Veliajt për këtë shkollë shfaqet edhe me pastime nga qelia e burgut të Durrësit. Në 18 shkurt 2025, kryetari shkruante “më gëzon fakti që puna aty po vijon njësoj, me ritme të shpejta, për ta pasur gati në shtator për fëmijët”.

Ndersa në prill 2025, Veliaj postonte këtë video:
https://www.facebook.com/share/v/17BnH3qG3f/
Filloi viti shkollor dhe kjo është gjendja në tetor 2025.

Flori i “Inertit” vazhdon i patrazuar me ritmin e breshkës. Biznesmeni i ka shpatullat të mbrojtura nga pasuesja e Veliajt. Edhe ajo nis poston në Instgram “punimet”, pa e vrarë ndërgjegja se fëmijët e vegjël bëjnë shkollë nate me turne. Por Florin nuk e mbron vetëm bashkia e Veliajt! Anuela Ristani nuk lëviz as gishtin pa urdhër të Edi Ramës.
Kryeministri është parë duke inspektuar punimet e “INERTI” SHPK bashke me Anuelën.
Ndërsa para një muaji, problem i vonesës në punimet e shkollës arriti në Parlament.
Gjatë një interpelance të kërkuar me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, në qendër të debatit ishte premtimi që nuk u mbajt, hapja e shkollës në shtator të vitit të kaluar.
Ministrja nuk kishte një afat se kur do të hapet shkolla. Datën e dinë Rama, Veliaj dhe Anuela, që i jep tenderin tjetër Flori Muhës, pa mbaruar punimet e shkollës.
Në të njëjtën kohë, kompanmia INERTI ka marrë një tender tjetër po në Tiranë. I është dhënë rehabilitimi i Përroit të Gjerozës te “Fresku” me vlerë 700 milionë lekë.
Po në Tiranë ka marrë tender për ndërtimin e Srukturës mbajtëse të Lotit II në Dajt. Tenderë të tjerë janë rikonstruksioni i shkollës “Besnik Sykja”, ndërtimi i urës në Zall Bastar dhe strehëza për kafshët endacake.
Problemi më i madh që lind nga pazaret e Anuelës, për llogari të shefit që ka sipër, është rreziku i cilësisë së dobët. “Inerti” është identifikuar për punë pa cilësi dhe zvarritje jashtë afateve të kontratave, edhe nga KLSH. Janë evidentuar mashtrime në volumin e punimeve nga kompania e Florjan Muhës.

Në një raport auditimi të veprimtarisë së Bashkisë Elbasan për vitin 2022 ka konstatuar vjedhjen që ka bërë kompania e Muhës me punimet e riparimit të rrjetit të kanalizimeve.
Në 29 dhjetor të vitit 2021, Irland Sina, në atë kohë nënkryetar i Bashkisë Elbasan, shpalli fituese kompaninë “Inerti” shpk të tenderit me objekt ‘Rikonstruksion dhe ndërhyrje në linjën KUZ dhe ndërtim i sheshit të parkimit të Varrezave Publike’. Vjedhja në këtë rast tregon se sa e pamëshirshme është kjo çetë abuzuesish që përlajnë paratë publike edhe kur ato janë për varrezat.
Ndërsa banorët e Yzberishtit le të shpresojnë që “INERTI” i Florit të mos i shqepë rrugët, se nuk i dihet se kur do të shpëtojnë nga balta.
gijotina.com/








