Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka theksuar nevojën për një koordinim sa më të mirë të procedurave për të siguruar suksesin e “operacionit special” në Ukrainë.
Mesazhi i fortë u dha sot nga Kremlini zyrtar. “Është e nevojshme të përditësohen procedurat dhe kornizat rregullatore dhe ekonomia në tërësi, dhe industritë individuale, dhe të sigurohet operacioni special”, tha Putin, duke folur në takimin e parë të Këshillit Koordinues të sapoformuar.
“Çështjet e përditësimit dhe përmirësimit të procedurave administrative janë diskutuar shumë herë, por situata është e tillë që e gjithë kjo punë duhet të shikohet përsëri”, shtoi Putin.
“Ka nevojë për një koordinim të gjerë dhe të thellë midis të gjitha strukturave – si blloqet ekonomike dhe ato të pushtetit, dhe rajonet,” shtoi lideri rus.
Komentet e Putinit vijnë në një kohë kur Rusia po pëson një varg humbjesh në Ukrainë, duke përfshirë edhe rajonet që pretendon se po anekson, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.