Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Zot na ruaj, na ruaj fëmijët, lehtësoje njeriun e britmës!

Nga Media 0

 

Nga Flutura Açka

Vinte përherë nga e njëjta dritare, me të njëjtin ritëm, si të kërkonte të hapte përditë e nga pak atë gropth, që kishte filluar të bënte thellimë diku brenda meje, nga ajo ditë kur e ndjeva për herë të parë. Një klithje, një britmë burri ishte ajo, vinte nga një dritare që binte mbi një ballkon që binte mbi një rrugicë që endej lagjes sonë, nga ato lakadredhat e mia për t’i shpëtuar trafikut të përbindshëm të qytetit. Rrethoja me hekurat e pluhurosura të ballkonit, e copëzonte tingullin e britmës deri te vëmendja ime. Ishte një shqyerje e pafat fyti, që nuk e shmangia dot as nga nxiti, deri në çastin kur nuk doja ta shmangia më. Ajo ishtë bërë pjesë imja, duke më shtyrë të ndërtoja përditë me përfytyrimin tim portretin e burrit të panjohur.

Ndonjëherë më ndodhte të kaloja aty me tim atë, dhe, edhe pse vëmendja ime nuk ishte aty, prej shenjave të tim eti, prej gjuhës së tij zëulët e të pazbërthyeshme, nga një shtysë e të marrurit mend, e lexoja si një lutje: Zot na ruaj, na ruaj fëmijët, lehtësoje njeriun e britmës!
Tani ajo britmë është pjesë e ecjes sime nëpër rruginë, pjesë e ditës sime, ndaj shí për këtë arsye, më ka kaluar dëshira për të ditur se kush e mban atë britmë, çfarë sysh, ç’moshë ka ai njeri? Ka raste kur më mungon britma, dhe sepse një si frikë më kaplon, sikur nga apeli që jeta u bën gjërave tona, ajo britmë do të mungojë përjetë, bashkë me munguesin që e bart atë në përbërjen e përditës sime. Pas këaj dita ime do të jetë më e varfër pa dhembën që i derdh ajo britmë, e që më kujton pamundësinë.
Deri një ditë, një ditë me diell të fortë kur rrugicë e gjeta të ngushtuar nga denduria e një grupi njerëzish, ja mu aty rrëzë ballkonit. Unë mbeta një hop në këmbë pa lëvizur, me një buzëqeshje të plotë, një si shprehje që as ata që rrinin aty kishin faj, as që unë që duhet të kaloja kisha faj. Shtyrë nga buzëqeshja dhe qetësia ime, dikush nga grupi më zgjati një qeskë të vogël, ku të mbledhura në pëllëmbën e tjetrit, ishin ngjeshur një grusht amaretash të sheqerta.

Ua, ua!, një britmë e mpiu në çast buzëqeshjen time dhe në të mijtën e sekondës e kuptova që po më ftonin të zgjasja dorën e të merrja njërën nga të ëmblat. Uaaau, uaaaau!, këtë herë thirrja ishte më e gjatë, dhe unë nënkuptova disa fjalë më shumë, madje një frazë të tërë. “Unë kam ditëlindjen, dhe megjithëse je stepur, o grua, ti je pjesë e ditëlindjes sime, edhe pse rastësisht.”

Ngrita sytë me drojën që njeriu përballë meje mund të zbulonte diçka të pangjyrtë, dizajnin e asaj që pata ndërtuar përditë për të. Ai ishte më i përsosur se çdo dizajn i im mental, sepse ishte një njeri i gëzuar. Aq i gëzuar! Kurrë nuk kam parë në jetën time një buzëqeshje të dytë si e tij atë ditë. Gëzuar!, i thashë dhe mora pjesën time të gëzimit të tij. Nuk kisha ngut, ai ishte pjesë e përditës sime, dhe nga ai çast, edhe po të mos e shihja më, unë e dija që ai ishte një gëzim që ecte.
Ai lëvizi, më bëri udhë duke qeshur. Edhe unë lëviza, duke ruajtur po atë buzëqeshje që njeriu i britmave ma kishte dhuruar.

Uaaau, uaaau!, ishte një përshëndetje, një “faleminderit”, ishte një “mirupafshim” që më ndiqte pas shpine. Që më ndjek ende. Që do të më ndjekë deri ditën e heshtjes, të atij që e ka radhën të heshtë i pari, nga ne të dy.

Kjo nuk është e gjitha buzëqeshja ime, por buzëqeshja që më ka dhuruar njeriu i "Britmës"Paçi një fundjave të bukur,…

Posted by Flutura Açka on Saturday, November 25, 2017

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej