Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Zejnep Toptani dhe Gjovalin Gjadri, një histori e jashtëzakonshme dashurie

Nga Media 0

Nga Albert Nikolla

Profesor Ardian Ndreca ka sjellë për lexuesit një përkthim të përkryer të një libri po aq të përkryer të autorit Gjovalin Gjadri: “Letra grues seme të vdekun”, dalë nga shtëpia botuese “Onufri”!
Këtë nëntor janë mbushur plot 84 vjet nga martesa e Gjovalin Gjadrin me Zejnep Toptanin. Gjovalin Gajdri, një djalë shkodran i diplomuar në Vjenë njihet me një vajzë të hijshme, të kulturuar e të pasur. Edhe vajza është e shkolluar në Vjenë. Është e bija e një ndër personave më në zë kohës në Tiranë: Abdi Toptani. Pas shumë kundërshtish nga ana e familjes Toptani, çifti vendos të martohet pa aprovimin e familjes së vajzës, por ky fakt nuk e cënon lumturinë e tyre.
“Ne ishim gjithmonë të sinqertë me njeni-tjerin, e kjo ndershmëni m’duket se ishte themeli i lumtunisë sonë bashkëshortore”. (Letra grues seme të vdekun. f.28).
Është krejt e qartë se kemi të bëjmë më një histori dashurie që cek majat më ta larta të ndjeshmërisë së shpirtit njerëzor. Inxhinjer Gjadri dëshmon në këto letra një ndjeshmëri estetike dhe filozofike të pashoqe për kohën kur shkruan. Shtjellimi që i bën martesës, dashurisë, dhimbjes dhe bukurisë në kuptimin real dhe filozofik të bëjnë të kuptosh se vitet ‘20 dhe ‘30 të qindvjetshit të kaluar në Shqipëri kanë pasur një tharm të admirueshëm kulturor e moral.
“Veç kur të puthi harroj gjithçka. Mandej për mue fundoset bota mbarë, un njoh veç buzët e tua të njoma. Buzët e tua a janë shpirt apo landë? Un s’mbrrij me e dallue. (f.54)
Gjithçka shkon për mrekulli deri kur, pas 8 vitesh martesë të lumtur, zonja Zejnep sëmuret nga tuberkulozi. Përjetimet e dhimbjes së bashkëshortit të përshkruara kaq mjeshtërisht prej Gjadrit në letrat drejtuar gruas pas vdekjes na dhurojnë një perlë artistike e njerëzore. Përballë dhimbjes së vdekjes, Gjadri shkruan:
“Ndihesha i plaçkitun, por lotët më thonin se Ai që më dha aq shumë të mira nuk mundet më mi marrë rishtas përgjithmonë. Ti ishe për mue nji dhanti e jetës e un due që dhantija jeme të kthehet prapë prej Dhuruesit të madh”. (f.40).
Përsiatjet e Gjadrit mbi konceptet e lumturisë, dhimbjes, poezisë na japin një kënaqësi dhe një shpresë se, edhe pas përvojës dramatike e komunizmit në Shqipëri ku u kërkua vdekja e trashendentales, prapë studiuesit shqiptare kanë mundësi t’u referohen autorëve shqiptare edhe në lëmin e filozofisë dhe estetikës.
“Lumnija asht gjithmonë e mangët, nuk mjafton kurrë dhe nuk ka fund. Vetëm vuejtja ka nji natyrë të përcaktueme”. (f.101)
Sigurisht për të shkruar kaq bukur duhet një frymëzim prej një zonje të bukur e të dlirë siç ishte Zejnep Toptani. Gjadri përshkruan edhe disa letra që gruaja e tij Zejnepi i kishte dërguar gjatë historisë së tyre të dashurisë. Aty na del karakteri dhe vetitë e një gruaje “zonjë” në kuptimin më të thellë të kësaj fjale.
Ja si i drejtohet Zejnepi Gjovalinit në një nga letrat e saj:
“Ti e din mirë se shpirtnisht jam e jotja. Por don gjithnji me bind veten dhe më mundon me vogëlsina. Vetëm kur të jetojmë së bashkut do ta shohish se un të due më të vërtetë. S’ka gja kur ti m’ban me të padrejtë, me gjithë qejf e mbylli nji sy, pikërisht për arsyen se un të due kaq shumë, po, pafundësisht të due”! (f.49).
Fjalë prej një zonjë të vërtetë. Vdes në moshë të re, vetëm 27 vjeçe, me 15 gusht, Ditën e të Ngjiturit e Zojës Mari në Qiell!
Këtë trashëgimi të bukur që sjellin këto letra e ka shpjeguar më një parathënie kaq të ndjeshme Ndreca. Në fakt parathënia i qëndron si kurorë e bukur kësaj vepre arti që përbënte risì në panairin e librit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej