Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Xhisiela, që një fshat të tërë ngatërroi dhe “mori” atë që deshi

Nga Klodiana 0

Nga Iva Tiço/

Asnjë ngjarje politiko/kriminale/rozë, nga ato që Shqipëria i prodhon çdo ditë, nuk ka qenë më e shëmtuar se kjo e Xhisiela Malokut. Ngado që ta kthesh, ngado që ta vërtitësh, është thjesht e shëmtuar. Dhe në këtë pikë, çdo ditë e më shumë që flitet për të, apo sa herë që portreti i vajzës shfaqet në ekran, edhe më e shëmtuar bëhet. Në të dy skenarët, në atë ku ajo është viktimë dhe në skenarin që është një mendjelehtë që bën gjëra nga inati i atij që do, ngjarja sa vjen e bëhet më e shëmtuar dhe më e dëmshme për opinionin publik.
Marrim rastin e dytë, atë më të lehtin dhe supozojmë që ajo është kokëboshja që ngatërron një fshat të tërë (sa Shqipëria në këtë rast) vetëm që t’i bëjë presion a për të marrë hak a kush dreqin e di se çfarë, atij djalit që për ca kohë e deshte dhe pastaj nuk e donte më dhe e la e iku me një tjetër… Eshtë një nga historitë më banale dhe më të shpeshta që ndodhin çdo ditë, në të gjitha cepat e botës, nga ato historitë që arrijnë të zhvidhosin edhe mendjen e vajzave e grave më të mençura, e jo më aguridhet (në rrjet Xhisielës çfarë epiteti nuk po i vihet nga shumica, që beson këtë skenar, më falni paraprakisht dhe për epitetet që po përdor unë, e që janë ku e ku më të buta). Eshtë historia e sa e sa femrave, që kur u refuzohet dashuria ngulin këmbë si të marra, në mos për të marrë mbrapsht atë që dikur u ka takuar, për t’i bërë keq atij që i ka braktisur. Në këtë pikë historia e Xhisielës nuk është shumë larg asaj të Griseldës së Kavajës, ca vite të shkuara, që në një moment zhvidhosjeje të tillë, për të mbajtur pranë vetes një burrë i cili nuk e donte, shpiku histori me shtatëzënira, rrëmbime, shkulje të fëmijës së palindur nga barku dhe personalisht më llahtarisi e më la së paku një natë pa gjumë. Përveçse i shqetësojnë njerëzit në shtëpitë e tyre, këto histori me frymë telenovelash të dobëta meksikane, frymëzojnë shumë aguridhe të tjera por dhe gra të mençura, të cilave në një pikë të jetës diçka u këputet, që të shndërrohen në heroina telenovelash mediatike. Përgjimet e publikuara dje nga Prokuroria dhe të shumëfishuara ngado, prania e vajzës së gjykatë, intervista e saj nervoze dhe me tone kërcënuese shpie ujë në këtë burim: ajo është një vajzë që ashtu e mendoi, nga inati i të dashurit, i familjes së tij, shkoi dhe denoncoi dhe ia ndreqi qejfin. Dhe tani historia e sajuar, budallallëku që bëri, iu kthye mbrapsht. Rrjeti po e linçon në komente negative. Dhe kjo është përtej të shëmtuarës.

Kaq për skenarin e parë. I dyti është jo vetëm më i shëmtuari, por ai, që po e mendova më gjatë, ma shkatërron gjumin më shumë sesa një natë: Xhisiela është ende e marrë peng nga e keqja, siç ngulin këmbë shumica e kolegëve të mi, ata që e kanë intervistuar dhe gjithë ata të tjerët që e kanë mbrojtur këtë skenar (opozita ndërkohë e ka braktisur, qe e para që në portalet e saj nisi të përgojonte syzet firmato dhe makinën e asaj që kishte quajtur viktimë). Një mikja ime, që është marrë gjatë me çështjet e grave të dhunuara, më thotë se Xhisiela është tipikja e të dhunuarës, është si qindra gra që ajo i ka shoqëruar nëpër streha mbrojtëse apo i ka intervistuar këto vite dhe se e qeshura e saj është qeshja nervoze e dikujt që po detyrohet të gënjejë nën një presion të madh… Edhe pse pakkush nga publiku tashmë e beson këtë skenar, ka gjasa që të jetë edhe kështu, dhe kjo është gjëja më e tmerrshme që mund të ndodhë: të detyrosh një vajzë të mbrojë agresorin, ta detyrosh të thotë se nuk është dhunuar por se ka qejf të bëjë lodra të dhunshme me të, pastaj ta shpiesh nëpër televizione, ta vësh të bëjë reagime politike, ta çosh deri tek dera e gjykatës dhe ta vësh të kërcënojë mediat për shpifje… Nëse, largqoftë, vërtetohet se ky skenar është i vërtetë, i bie të ngresh plaçkat dhe të ikësh një orë më parë nga ky vend. Nëse je një grua normale shqiptare, që ndërkohë po pëson dhunë shtëpiake, nëse je dikush që dhunohesh, nëpërkëmbesh, shkarravitesh e zvarritesh nga të fortët e lagjes apo pushtetit dhe ndërkaq dëgjon edhe këtë histori, e kupton që jo vetëm nuk do gjesh drejtësi, por do të të detyrojnë të mohosh gjithçka e kthehesh në një Xhisielë që lëpin përpara kamerave atë që dje ke pështyrë, atëherë të vjen të futesh shtatë pashë në dhé dhe të mos gjesh më kurrë derman.

Por, pak gjasa ka të marrim ndonjëherë vesh se cila është e vërteta e Xhisielës. Janë mbuluar, varrosur e zhdukur për fare gjëra edhe më tragjike në këtë vend sesa drama e një vajze fshati, që doli këto ditë në televizor e do harrohet nesër. Sa më shumë del Xhisiela, sa më shumë flet, aq më shumë njerëzit ia heqin vizën gjithë kësaj historie. Dhe për mua, kjo është gjëja më e rëndë: relativizimi i të keqes, fshehja e të vërtetës. Kjo është t’i lodhësh njerëzit kaq shumë, t’u bësh dërr-dërr ekraneve – jo po kështu, jo po ashtu – nga mëngjesi deri në darkë, aq sa të thonë “boll, u lodhëm, varjani me gjithë Xhisielë, me gjithë shoqet e saj dhe gjithë të dashurit e tyre, dhunues apo jo qofshin!”. Të vetmit që përfitojnë nga gjithë kjo zhurmë, nga zbehja e fuqisë së medias dhe bashkë me të dhe zhbërja e fuqisë së fjalës, nga relativizimi i të keqes dhe mosgjetja e të vërtetës, janë ata që kanë gjëra për të fshehur. Ata ia arrijnë qëllimit, ndërsa të ngeshmit presin fundin e telenovelës së Xhisielës. Do ishte bukur sikur të martohej në fund me këtë Rexhepin: jo thjesht sepse unë vdes për histori me ‘happy end’, por sepse ky është përfundimi logjik i të dy skenarëve: sipas të parit, ai del nga burgu, kupton sa sakrifica ka bërë ajo për dashurinë dhe martohen e rrojnë të lumtur duke u rrahur sa të duan me njëri-tjetrin dhe sipas skenarit të dytë, ata që e kanë marrë peng Xhisielën e këshillojnë Rexhepin “ta marrë”, sa të shuhen llafet e botës dhe pastaj sekush të shohë hallin… E teksa ata martohen, të gjithë do themi: “Një fshat të tërë ngatërroi, por mori atë që deshi”, ndërsa gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në krijimin e gjithë kësaj zhurmnaje do shohin grafikun e audiencës, klikimet, like-t dhe reach-in në rrjet e do thonë “Ooo ç‘u kënaqëm!”

/www.tiranapost.al/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej