Ka than' i moçmi: 

"Komunizma është një sëmundje e tmerrshme, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por zemrën dhe shpirtin e njeriut."

- Mit'hat Frashëri

Vettingu dhe Dekriminalizimi/ Emrat e parë të viktimave në drejtësi e politikë

Nga Media 0

Deputetë, kryebashkiakë dhe krerë të institucioneve të larta bashkë me gjyqtarë e prokurorë, nën hetim për pasuritë e paligjshme dhe aktivitet kriminal.

Vetting-u dhe dekriminalizimi janë dy aksione paralele, përkatësisht nga OMN (Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar) dhe Prokuroria e Përgjithshme, nga të cilat pritet të penalizohen emra zyrtarësh të niveleve më të larta të politikës dhe drejtësisë. Janë dy ligje, prej të cilave shpresohet që do të pastrohet sistemi i drejtësisë dhe ai i politikës. Nëse do ketë një zbatim rigoroz të këtyre dy ligjeve shumë të rëndësishme dhe nëse proceset nuk kthehen në gjueti shtrigash, viti që sapo ka nisur pritet të japë rezultate të rëndësishme në ndryshimin e elitave në Shqipëri.

Ligji për dekriminalizimin u miratua më shumë se një vit më parë, por ka nisur të zbatohet muajt e fundit dhe ka dhënë rezultate konkrete, largimin nga detyra të kryebashkiakut, Elvis Roshi dhe të dy deputetëve Dashamir Tahiri e Shkëlqim Selami. Ndërkohë, në listën e të hetuarve nga Prokuroria e Përgjithshme, janë rreth 570 zyrtarë të lartë, ku përfshihen deputetë e kryebashkiakë të tjerë. Prokuroria ka intensifikuar hapat për zbatimin e dekriminalizimit, kryesisht në këto ditë, kur pritet që procesi i vetting-ut të japë rezultatet e para.

Në ditët e fundit të vitit që lamë pas, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën zbatimit të procesit të vetting-ut, nga i cili shumë shpejt pritet të ketë rezultatet e para. Ndërsa ekspertë të Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar, kanë nisur punën dhe kanë gati dosjet me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të largohen nga sistemi. Jonathan Fisher dhe Anita Clifford të Qendrës së Krimit Zyrtar janë dy ekspertët britanikë, të cilët në bashkëpunim me Projektin e Avokatëve Ndërkombëtarë, një muaj më parë kanë zhvilluar trajnime në Shkollën e Magjistraturës në luftën ndaj pastrimit të parave dhe evazionit fiskal. Ata kanë mbledhur prokurorë dhe gjyqtarë të spikatur në vend dhe kanë dhënë direktiva se si duhet të bëhet zbulimi i pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe sekuestrimi i parave të pista apo objekteve që janë vënë në mënyrë të jashtëligjshme. Por, vetë këta gjyqtarë e prokurorë do t’i nënshtrohen procesit të hetimit. Deklarimi i pasurisë dhe hetimi i deklaratës së secilit prej anëtarëve të sistemit të drejtësisë, pritet të identifikojë viktimat e para të vetting-ut, paralelisht me gjyqtarët dhe prokurorët që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë në kohën e komunizmit. Lista e këtyre të fundit është gati prej kohësh. 27.al ka publikuar disa nga emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i përkasin isntitucioneve më të larta të sistemit, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Ekspertët e OMN-së, po tranojnë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët pritet që të kandidojnë për të qenë pjesë e SPAK apo organeve të tjera që do ngrihen në kuadër të vetting-ut. Në faqen zyrtare të Qendrës së Krimit Zyrtar, ku janë pjesë dy ekspertët britanikë, janë dhënë detaje nga takimet e tyre me njerëzit e drejtësisë në Shqipëri.

Përveç parave të gjeneruara nga krimet e drogës dhe korrupsioni i gjyqtarëve, pjesë e ekonomisë informale e Shqipërisë janë edhe shitësit e rrugëve, tregtarët që punojnë në Greqi e Itali dhe dërgojnë paratë të padeklaruara në shtëpi. Statistikat thonë se ekonomia informale e Shqipërisë qëndron në 33 %, por masa e vërtetë është e vështirë të përcaktohet”, thuhet aty. Ata kanë dhënë asistencë teknike edhe për ndryshimin e legjislacionit. Sipas ekspertëve duhet të ketë ashpërsim të ligjit për fshehjen apo pastrimin e parave. “Evazioni është shumë i përhapur në Shqipëri dhe dhënia e llogarisë së shkelësve është e vështirë. Kjo ndjesi e mosbesimit në arritjen e zbatimit të masave u shpreh gjatë gjithë takimit. Në një vend, ku shumë njerëz punojnë në të zezë dhe burimet janë të pakta, si mund të detyrohen ata të bëjnë të kundërtën? Këto janë dhe çështjet, me të cilat përballen gjyqtarët e prokurorët në Shqipëri. Evazioni fiskal dhe pastrimi i parave janë të lidhura ngushtë dhe nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën”, thuhet më tej në njoftim.

Skema e zbulimit të pronave korruptive

Ekspertët britanikë kanë trajnuar prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë dhe mbi zbulimin e pronave që janë jo të ligjshme. Madje, ata kanë dhënë alarmin se shumë zyrtarë në Shqipëri i shmangen sistemit të taksimit. Sipas tyre, në momentin që ka evazion fiskal, ka dhe pastrim parash. Për këtë arsye, ata kanë sugjeruar që gjatë procesit të verifikimit të gjyqtarëve e prokurorëve të kontrollohen dhe bizneset që ata kanë dhe sa të rregullt janë me sistemin fiskal. Një tjetër element që sipas tyre e shmang këtë gjë, është që të deklarohet çdo lloj e ardhure dhe çdo lloj fitimi nga të gjithë qytetarët në vend. Vetëm në këtë mënyrë do ketë një bilanc të qartë të evazionit fiskal. Një tjetër fushë, sipas tyre është bashkëpunimi ndërkombëtar. Agjenci të ndryshme botërore, do të ndihmojnë në zbulimin e pronave dhe parave të dërguara jashtë vendit. Por, sipas ekspertëve, gjithë sekreti qëndron te sistemi taksiv, ku nëse hyhet në rregjistrin e tatimeve aty shihen të ardhurat e zyrtarëve dhe më pas mund të hapen hetime për pastrim parash apo fshehje pasurie.

Përveç ekspertëve britanikë që janë tashmë në terren, të tjerë ekspertë ndërkombëtarë vijnë nga sistemi i drejtësisë i vendeve si Gjermania, Austria, Belgjika apo Franca për të mbështetur vetting-un në Shqipëri. Në këtë proces të vetting-ut është përjashtuar mundësia e përfshirjes së ekspertëve nga Rumania, Bullgaria e vende të tjera të Lindjes.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>