Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Vetingu/ 80% e gjyqtarëve e prokurorëve refuzojnë hetimin e pasurive

Nga Media 0

Njerëzit e drejtësisë refuzojnë të deklarojnë si i blenë maikinat luksoze, vilat superluksoze, bizneset e panumërta dhe si i përfituan shumat marramendëse të parave që kanë

Një dokument prej 30 faqesh i firmosur nga shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë, kërkohet të hidhet poshtë ligji i vetingut, veçanërisht pika ku parashikohet hetimi i pasurive të tyre. Ata kërkojnë që të mos hetohet mënyra se si ata i përfituan vilat supërluksoze, makinat luksoze, bizenset e panumërta dhe shumat marramendëse të parave që ata kanë nëpër banka apo nëpër banesat e tyre.

Është një kërkesë e paprecendentë e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke e justifikuar me faktin se në kohën kur ata kanë siguruar pasuritë e tyre, ekonomia ka qënë informale dhe nuk i ka lejuar të kenë dokumentacion për pasuritë e siguruara ndër vite. Duket një justifikim qesharak për shkak se sadoqë të përpiqen të thonë se të ardhurat mund të jenë siguruar para se të vinin në detyrë si gjyqtarë apo prokurorë, në emigracion apo nëpër biznese në Shqipëri, duket kaq e pamudnur të justifikohen shuma marramendëse si psh, 1.5 million euro para në banka, e pasuri të tjera të shumta të panumërta që i përkasin vetëm njërit prej tyre.

E megjithatë, ata pretendojnë se nuk duhet të penalizohen për mënyrën se si i kanë siguruar këto para. Në një dokument të firmosur prej 30 faqesh, gjyqtarë e prokurorë deklarojnë se njerëzit e drejtësisë aktuale nuk kanë dokumentacion ligjor, për të justifikuar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të akumuluar që nga rënia e sistemit komunist, pra para fillimit të detyrës.

“Provimi i burimeve të ligjshme për pasuri të vëna përpara detyrës për të dhe për familjarët, është një kërkesë që nuk plotëson asnjë qëllim, por thjesht kërkon të penalizojë subjektet, për pamundësinë e tyre për të gjetur dokumente. Dhe një rrezik i tillë është real, duke patur parasysh kohën e gjatë që mund të ketë kaluar që nga krijimi i pasurisë, rrethin e subjekteve të deklarimit, faktin që familjarët, apo subjektet mund të kenë punuar në emigracion të pasiguruar, apo faktin që ekonomia shqiptare ka qenë informate dhe pavarësisht punës së ndershme, të ardhurat nuk mund të provohen dhe të klasifikohen edhe ligjërisht si burime të ligjshme fitimi pavarësisht se, nuk kanë rrjedhur fare nga detyra, apo abuzimi i subjektit me të. Pikërisht këto parashikime cenojnë parimin e sigurisë juridike të elaboruar nga Gjykata Kushtetuese në disa vendime të saj. Kjo pasi subjektet nuk kishin parashikuar, apo e dinin se një ditë do të ushtronin këtë detyrë, apo se duheshin këto dokument, prandaj kurrsesi nuk mund të penalizohen për të”, theksohet në dokumemntin e firmosur nga gjyqtarët e prokurorët e Shqipërisë.

Ata shprehen edhe kundër hetimit të pasurive të familjarëve të tyre. “Qëllimi i amendamenteve Kushtetuese është i qartë, në ato raste kur subjekti zotëron një nivel të caktuar pasurie, prezumohet fajtor për shkeljen disiplinore dhe përmbyset barra e provës duke u detyruar ai për të provuar të kundërtën. Po për familjarët e tij dhe pasurinë e tyre, mund të zbatohet rivlerësimi dhe përmbyset barra e provës?! Përgjigja është absolute, kurrsesi jo, pasi cënon një sërë të drejtash Kushtetuese si siguria juridike, e drejta për një proces të rregullt ligjor, e drejta për të gëzuar një jetë të qetë familjare dhe e drejta e privatësisë”, shprehen ata, në dokumentin drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Këtë dokument protestë kundër ligjit të vetingut, e kanë refuzuar vetëm 5% e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërsa është firmosur nga 80% e tyre. Pjesa tjetër nuk janë shprehur as pro as kundër ligjit të vetingut.

 

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>