Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Veliaj në Top Story: Sharra s’ka lidhje me Gërdecin

Nga Skenderi 0

veliaj

Bashkia e Tiranës mbetet qendra e vëmendjes së opinionit publik, por edhe e debatit politik në vend, kjo për faktin se ka shërbyer së paku në dy raste si një trampolinë shumë e rëndësishme politike për atë që e ka drejtuar këtë bashki.

Erion Veliaj fitoi vjet Bashkinë e Tiranës dhe prej atij momenti shpalli nismën e tij “Tirana në punë”. Ka kaluar më shumë se një vit qëkur ai është bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës, Tirana sot ka një plan të ri rregullues që ka kaluar mes shumë debatesh dhe jo të pakta kanë qenë ato lidhur me atë se çfarë influence po ndikon kjo qendër e re magnetike të politikës mbi jetën publike në vend? Javën e shkuar, ky debat mbërriti edhe në Parlament, për një çështje që ka shqetësuar opinionin publik, vdekja e një adoleshenti në landfillin e Sharrës.

Por, cila është e vërteta dhe si do të jetë zhvillimi i Tiranës, jo deri në vitin 2030, por së paku edhe në dy vitet e tjera në mandatin e Erion Veliajt si kryebashkiak i kryeqytetit?

Për këto dhe të tjera çështje u fol këtë të hënë në Top Story, ku të ftuarit e Sokol Ballës ishin analistët Mustafa Nano, Eduard Zaloshnja dhe Arjan Vasjari përballë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Debati për landfillin e Sharrës

Gjatë seancës parlamentare të së enjtes së shkuar, ish-Kryeministri Berisha krahasoi tragjedinë e Gërdecit me vdekjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjokleja në landfillin e Sharrës. Ai tha se që të dyja rastet janë “krime shtetërore”. Por sa e përfshirë është Bashkia e Tiranës në këtë situatë? A ka patur dijeni që adoleshenti punonte në landfill jashtë rregullave dhe në të zezë dhe a ka përgjegjësi bashkia?

“Në fillim të gushtit kemi patur një njoftim nga policia, jo për zonën ku bëhet ndarja e plehrave, por në mes të landfillit. Landfillin e Sharrës, në ndryshim nga Gërdeci, unë e gjeta aty dhe më rezulton që të paktën që nga vitet 70-80, ka qenë aty. Bëhet fjalë për një territor që është disa hektarë dhe një landfill që duhej të ishte mbyllur në vitin 2011. Në këtë vit, Sali Berisha e kishte mendjen sesi të vidhte zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës dhe jo si të bënte punë. Pra landfilli i Sharrës duhej  të kishte 5 vite i mbyllur sepse ka tejkaluar kapacitetet dhe Tirana nuk ka një landfill të ri. Kjo është arsyeja se përse unë kam qenë publikisht në nëntor të vitit të kaluar, kur ricikluesit protestonin para Bashkisë së Tiranës dhe kam dalë publikisht e kam thënë që kushdo le ta bëjë këtë në Sharrë, por jo në rrugët e Tiranës, le të vijë e të bëjë marrëveshje me Bashkinë sepse çdo plehrë që hiqet nga Sharra është një terren i fituar”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj tha se ajo që ka ndodhur është e dhimbshme dhe pronari i kompanisë që akuzohet për këtë është në kërkim. Kryebashkiaku tha  se nga të dhënat e deritanishme dihet që ngjarja ka ndodhur jashtë pjesës ku seleksionohen mbetjet.

“Ajo që dimë deri më tani nga njoftimi i policisë është që nuk ka ndodhur në pjesën ku bëhet ndarja e mbetjeve. Ne presim që të marrim vesh nëse ka ndodhur vërtet aty, apo ka ndodhur në një vend tjetër më përpara”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ka zgjedhur të heshtë për rastin në fjalë për të pritur rezultatin e hetimeve nga organet kompetente.

“Kështu bëra edhe me parkun e lodrave, kështu kam bërë edhe në rastin e sulmeve të tjera. Nuk është hera e parë. Historia e të bërit politikë si hienë, ku Partia Demokratike është kthyer si një agjenci funerale, që sapo shikon një viktimë vrapon se kush do të marrë përfitimet, kjo është një histori shumë e poshtër. Unë kam preferuar që të pres derisa hetimit të mbarojë dhe të mësojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht në një sipërfaqe që është disa hektarë”, u shpreh ai.

Veliaj tha se në 450 ditë në detyrë ka patur kundër 150 protesta, 78 prej të cilave vetëm gjatë punimeve të këndit të lodrave në Parkun e Liqenit, por shton se është i përgatitur që ta paguajë këtë çmim.

“Sepse më rezulton se në fund të ditës, njerëzit vlerësojnë punët, jo fjalët. Të qënit në një sulm konstant është pengesë, sigurisht që është. Formula është mos bëj asgjë dhe nuk të sulmon askush, por për raste të tilla unë do të pres hetimet dhe pastaj do flas. Më ka rezultuar shumë herë që ata që bëjnë statuse dhe bëjnë si gjithologë, ja fusin kot dhe e vërteta del krejt ndryshe”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Por cili është raporti zyrtar që ka Bashkia e Tiranës me kompaninë në fjalë? Veliaj thotë Bashkisë i nevojitej me çdo mënyrë pakësimi i tonazhit të mbetjeve që shkonte në Sharrë për shkak të situatës së krijuar dhe për këtë ftoi në një marrëveshje kompanitë e interesuara, për shërbimin e të cilave thotë se institucioni që ai drejton nuk paguan asnjë lek.

“I ftuam dhe u thamë më mirë merrini në vend aty sesa ta merrni nga çdo kazan sepse kjo nuk ka kuptim, që të kthehet në pikë riciklimi çdo kazan i Tiranës dhe plehrat që shpërndahen më pas nga qentë”, deklaroi ai.

Veliaj kërkoi që nëse vërtet kompania në fjalë ka shkelur Kodin e Punës, duhet të mbajë përgjegjësi.

“Kompania që u paraqit në këtë marrëveshje, nëse është e vërtetë dhe nëse provohet që ka shkelur Kodin e Punës, duhet të mbajë përgjegjësi dhe sot janë në kërkim”, deklaroi ai.

Akuzat për influencim në media

Veliaj i hodhi poshtë dhe i quajti shpifje akuzat se ka ndërhyrë në bllokimin e dy emisioneve televizive që lidheshin që të dyja me Landfillin e Sharrës.

“Kush më njeh nga kolegët e di që është gjëja e fundit që unë kam merak se çfarë do të thonë shpifësit. Është një sport që unë nuk e praktikoj dhe nëse sot provohet që unë kam bërë një gjë të tillë, unë e lë këtë pozicion”, tha ai duke saktësuar se me njerëzit që zotërojnë dhe drejtojnë dy televizionet për të cilat akuzohet se ka ndërhyrë nuk ka asnjë komunikim, madje tha se është në konflikt të hapur.

“Më duket një alibi qesharake kur thuhet “që kam ndërhyrë” dhe për më tepër ku? Tek persona me të cilët nuk kam asnjë lidhje, as moralisht, as shoqërisht dhe asgjë dhe për më tepër shumë prej këtyre personazheve i njoh edhe nga karriera politike, ndaj organizimi i një lloj histerie kolektive me politikanë të opozitës dhe ish-stafin e tyre që sot mbulohen si gazetarë të pavarur, nuk ngjit”, vijoi ai.

“Sot ka një hetim dhe ndaj unë nuk flas. E kam trajnuar veten që të mos flas për gjëra të tilla pa përfunduar hetimet. Di shumë gjëra për të cilat nuk flas. E kafshoj gjuhën sepse nuk ka shumë interes publik se çfarë sherri kam unë me ish-drejtorin e Ujësjellësit që është drejtor televizioni. Ajo që di t’u them është që të mendosh që po influencoj tek persona me të cilët unë kam konflikt publik, kjo nuk mund të ndërtojë një deduksion”, shtoi Veliaj.

Veliaj tha se Bashkia vetë kishte nisur hetimet për vdekjen e 17-vjeçarit që të nesërmen e ngjarjes së rënde dhe hodhi poshtë mundësinë që nëse nuk do të kishte dalë në media, kjo kalonte në heshtje nga ana e Bashkisë.

“Që të nesërmen mbyllëm të gjitha operacionet në Sharrë dhe shumë shpejt do të kritikohemi për grumbullin në rritje të mbetjeve. Ky është problem pasi sot praktikisht çdo gjë bëhet mullar aty pa asnjë ndërhyrje sepse ne duam të presim sa të mbarojë një hetim”, vijoi ai.

Në lidhje me hetimin, kryebashkiaku i Tiranës theksoi se institucioni që ai drejton ka qenë bashkëpunues me Prokurorinë.

“Unë kam komunikuar me prokurorinë dhe kemi dorëzuar me tepër dokumentacion nga çfarë na është kërkuar. Jemi treguar shumë bashkëpunues. Ajo që na rezultoi është që ngjarja ka ndodhur shumë larg vendit të punës dhe në një orar që nuk ka qenë orari i asaj pune. Por le të presim hetimin”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku tha se Bashkia e ka të vështirë që të përballojë koston e mbledhjes së plehrave, por ai përjashtoi mundësinë për rritjen e taksës për këtë shërbim.

“Ai 400 lekëshi që taksës mezi del për t’i grumbulluar plehrat, e jo më ta përdorim për përpunim. Por mua më vjen mirë që sot qytetarët thonë se Tirana është më e pastër”, u shpreh ai.

Menaxhimi i mbetjeve

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi jo pa debat projektvendimin për kalimin në përdorim pa kundërshpërblim të hapësirës së Parkut të Transportit, e cila ndodhet në Rrugën “Don Bosko”, tek shoqëria “Eco Tirana”, pas një marrëveshjeje edhe me Bashkinë e Veronës. Bashkia e Tiranës do të ketë gjysmën e aksioneve të kësaj shoqërie.

Kjo lëvizje u kundërshtua ashpër nga këshilltarët e opozitës, që akuzuan drejtpërdrejtë kryebashkiakun Erion Veliaj. Lëvizja duket se ka ngjallur në më të paktën skepticizëm dhe tek një pjesë e konsiderueshme pakënaqësi. Por a rrezikon kryebashkiaku i Tiranës me vendime që rrisin pakënaqësitë?

“Nuk jam këtu që të shkoj pas opinioneve. Unë drejtoj Bashkinë e Tiranës dhe të drejtosh do të thotë të marrësh vendime, të marrësh shumë informacione të sakta, të shohësh opsionet dhe në fund të zgjedhësh opsionin më të mirë. Detyra e një lidershipi është që të shohësh një vizion tjetër që ndoshta njerëzit nuk e shohin”, deklaroi ai.

Privatizimi i ujësjellësit

Kryebashkiaku Veliaj tha se ka patur një ofertë të njëanshme nga disa kompani. Ai vlerësoi interesimin e këtyre kompanive dhe tha se privatizimi nuk do të ndodhet 100 përqind të aksioneve.

“Fakti që ndërmarrja e ujësjellësit është bërë atraktive për kompani të huaja është lajm i mirë. Nuk bëhet fjalë për për të shitur gjithë aksionet dhe për të humbur kontrollin. Bëhet fjalë për një paketë, që do të përkthehej në investime për Tiranën”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo nuk përkthehet në rritje të çmimit të ujit.

Plani urbanistik

Veliaj la të kuptohej se e ardhmja e ndërtimit në kryeqytet do të jenë pallatet shumëkatëshe, edhe më të larta se këto që janë aktualisht dhe shpjegoi edhe arsyet se përse do të ndodhë kjo.

“Tirana do të vazhdojë të jetë magnet dhe nevoja për strehim do të vazhdojë. Duam nuk duam ne, Tirana do të jetë në këtë trysni. Pyetja është si do të përballemi me këtë trysni? Do të vazhdojmë të zëmë çdo tokë, apo më mirë të shkojmë lart dhe të bëjmë korsi biçikletash poshtë?”, tha Veliaj.

/top chanel/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>