Ka than' i moçmi: 

“Gjysmë mjeku-vdes njerëzia, gjysmë idealisti-nuk bëhet Shqipëria”.

                                     -Fan Noli

Vdekja jote, jeta ime?

Nga admin 0

Nga Dritan Shano

Retorika e denoncimit si komunikimi më i përdorur në politikën shqiptare të këtyre 27 vjetëve, tregon se lufta civile, lufta mes shqiptarëve, jo vetëm nuk është shkulur nga mendja e shqiptarëve, por mbetet mjeti i preferuar, dhe ndoshta i vetmi që njohin dhe që u prodhon sukses politikanëve shqiptarë, nga më të pëlqyerit deri tek ata më lëtyrat, dhe apo ashtu i militantëve politikë sot e kësaj dite.

Kjo retorikë e denoncimit, përbaltjes, akuzës pa prova, skërmitjes për futjen në dhe të gjallë të kundërshtarit politik është shumë më e lehtë dhe nuk ka lodhje mendore, nuk u “kushton” asgjë atyre që “bubullijnë” nga foltoret me mikrofon dhe megafon, asgjë përveçse fjalëve që nxjerrin nga goja, kundrejt mundimit të kryerjes së veprave më të mira se ato fjalë, dhe dëshmon një tundim, një kënaqësi, një dëshirë dhe miratim dhe besim popullor në nivel demence. Besimin se kjo është rruga më e shkurtër, ku shumica ecën të gjejë suksesin. Në fakt, deri tani ka gjetur, komplet tjetër gjë.

Rezultat i gjithë kësaj retorike “ vdekja jote, jeta ime” ose akoma edhe më efikase, pasi është më populiste: “vdekja e atyre, jeta jonë” është, nga njëra anë niveli tribal i zhvillimit që kemi në tërësi, dhe nga ana tjetër i pasurisë së secilit prej këtyre politikanëve. 27 vjet sipas maksimës: “ujku, ujku por çakalli bëri kërdinë!”. Ajo që na hyn në vesh prej politikanëve dhe sponsorëve të tyre, është: “ujku, ujku!” Ajo që na mbetet në xhep pastaj është: “kërdia që na ka bërë çakalli”.

Ruajtja e simetrisë së përhershme të kësaj retorike është kujdesi i vetëm i politikanëve, proporcionalisht sa më të suksesshëm janë ata në imagjinatën tonë; është “truku magjik” që ka bërë të avullojnë miliarda euro nga jeta jonë dhe nga ardhmja jonë. Mbajtja në acarim të përhershëm psikologjik dhe shoqëror të shqiptarëve përmes kësaj retorike është thelbi i pasurimit përmes pushtetit për shumicën e elitës politike të këtyre 27 vjetëve pa përjashtim. Mënyrat individuale dhe sesi kjo ka ndodhur janë detaje të parëndësishme, me të cilat mund të merret një ditë Gjykata e Llogarive.

Dhe njerëzit që kënaqen, kur dëgjojnë retorikën e denoncimit, se duan ta shohin të përbaltur, kokëulur, të vdekur tjetrin; dhe pastaj kur bie heshtja, po të njëjtët njerëz që thuajse fshehurazi duan një të ardhme më të mirë për fëmijën e vet, fusin dorë në xhep dhe kur si përhera e gjejnë bosh rrinë si mut dhe nuk flasin dot se e shohin që pasurinë e ka vënë politikani i vet i preferuar. Dhe që mos të bëjë figurën e idiotit para fëmijëve që sot i kuptojnë gjërat më shpejt se dje, i vërsulen me tërbim edhe më të madh kujtdo që guxon ndryshe; duke i mësuar dhe fëmijët që kur t’u vijë radha të sillen dhe ata po njësoj… Duke mos e zhvleftësuar asnjëherë premtimin se “kur të vijmë ne në pushtet do hamë me lugë floriri”.

Asgjë nuk do ndryshojë derisa të vendosni vetë me dëshirën dhe vullnetin tuaj, se “vdekja jote, jeta ime” nuk funksionon, se duhet ta refuzoni dhe ta prishni simetrinë. Zoti i braktisur na mëson “të hyjmë përmes portës së ngushtë, sepse e lartë është porta dhe e gjerë është rruga që çon në shkatërrim dhe shumë veta hyjnë nëpër të. Por, e vogël është porta dhe e ngushtë rrugën që të çon tek jeta, dhe vetëm pak e gjejnë atë”. Prandaj, mendoj se ka adhur koha për të ndyrshuar zakonet e vjetra, sepse “është shumë më mirë të ndizni një qiri, sesa të mallkoni errësirën”.

Dhe për këtë, mos prisni t’ua thotë njeri, dhe as mos prisni siç e keni zakon, që dikush tjetër të ndezë qiriun për hesapin tuaj.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej