Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Valencia dhe një histori shqiptare pak e njohur…

Nga 27.al 0

Nga Saimir Kadiu*

Valencia ka edhe një histori shqiptare pak të njohur.

Pasi u detyrua të emigronte për herë të dytë në jetën e saj, Donika Kastrioti (1428-1506), gruaja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jetoi ditët e fundit të jetës saj në Valencia, ku eshtrat e saj prehen edhe sot.
Donika Kastrioti ka vdekur në Valencia të Spanjës, ku dhe është varrosur. Në një libër historik, “Periudha pas Skënderbeut”, botuar në gjuhën shqipe në Leçe të Italisë nga projekti italo-shqiptar i quajtur “Promoalba”, studiuesi i njohur i historisë, profesori i Universitetit të Salentos, Giancarlo Vallone, tregon për integrimin e familjes Kastrioti dhe të shqiptarëve të tjerë të emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut në institucionet e mbretërisë së Napolit në shekujt XV-XVII. Dokumenti i publikuar në faqen 74 të librit na njofton se ajo merrte si të ardhura një pension prej 1.000 dukatësh nga mbreti i Napolit.
Autori pohon se e veja e Skënderbeut, e quajtur në gjuhën vendase si “Scannalibeca”, ka jetuar në mërgim kokëlart dhe mençuri aq të shquar, duke u krenuar per emrin e madh të të shoqit dhe duke e lartësuar atë.

Andronika, e cila në historinë e Shqipërisë njihet me emrin Donika, mbërriti në Itali më 23 maj të vitit 1468. Dokumenti i publikuar në faqen 74 të librit na njofton se ajo merrte si të ardhura një pension prej 1.000 dukatësh nga mbreti i Napolit.
Më 27 gusht 1468 ajo u zhvendos nga feudet që mbreti Ferdinand ia kishte dhënë të shoqit në Salento drejt Napolit, ku fillimisht nisi të banonte në shtëpinë e juristit të njohur Pietro Cola D’Alessandro, në afërsi të Santa Chiara-s.

Disa vite më vonë pas ardhjes në Napoli të gruas së dytë të Ferdinandit, Giovanna-s, pikërisht më 11 shtator 1477, në rrethana të panjohura Donika Kastrioti nisi të shërbente pranë saj, duke luajtur një rol me peshë në oborrin aragonez.
Ndërkohë që të tjera dokumente na dëshmojnë se kur në vitin 1496 u rindërtua në Castelnuovo, në rezidencën mbretërore apartamenti i Giovanna-s III-të, zonja Donika kishte një dhomë mbi të, në katin e dytë të krahut perëndimor, si edhe Madona Porfida, që ishte nga dera e Arianitëve dhe kishte lidhje gjaku me të. Duke qenë me prestigj dhe me ndikim të përditshëm në oborr, mbreti tjetër i Napolit, Alfonsi II, i beson zyrtarisht më 20 tetor 1494 Giovanna-n III, të cilën Donika do të përpiqet ta bindë që të mos e lërë Napolin pas vdekjes së mbretit Ferdinand.
Për këto shërbime mbreti i ri i Napolit, Federiko, gjatë një ceremonie në oborr do të përqafohet me: “La mogliere de scannalibecho” (Donikën), dhe do t’i dhurojë asaj feudin e Goglianos më 1 prill të vitit 1498, për shërbimet që ajo kishte bërë në oborr.
Në një tjetër dokument na jepet letra që përfaqësuesi i legatës veneciane në Napoli, Francesco Morosini e shkruan në janar 1501, e cila na njofton për udhëtimin e zonjës Donika në Spanjë, duke shoqëruar tashmë nënën mbretëreshë Giovanna-n e III-të.
Në letër diplomati venecian shkruan se “Giovanna IV ka qëndruar në Napoli, është e veja e mbretit Ferrandino, është e ndershme dhe e kujdesshme; me të është Andronika (Donika), e veja e Skënderbeut, mike e ngushtë e Venecias.
Me sa duket në vitin 1501, kur mbërriti në Spanjë zonja Donika Kastrioti tashmë ishte 73 vjeçe dhe nuk do të ketë pasur mundësinë të kthehet më në Napoli. Ajo duhet të ketë vdekur sipas autorit në harkun kohor midis marsit të vitit 1505 dhe shtatorit 1506. Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovanna-s së III, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Këtë fakt autori e vërteton edhe nga një burim tjetër.

Burimi, të cilit i referohet është libri i autorit G. A. Summote, i titulluar në italisht “Del Istoria della citta e Regno di Napoli IV”, botuar në Napoli në vitin 1675, ku në faqen 17 të tij pohohet se “gruaja e Skënderbeut ishte varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia në vitin 1506”.

* Marrë nga faqja e facebook-ut të Saimir Kadiut: /https://www.facebook.com/saimir.kadiu.7/posts/2426637574227131/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej