Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

U nisën për “Republikë të Re”, po kërkojnë “Perëndim të Ri”

Nga Media 0

Nga Mero Baze

Lulzim Basha e nisi betejën për “Republikën e Re”, me shpresë se do t’i mbushte mendjen Perëndimit që ka mbështetjen e shqiptarëve dhe po e mbyll këtë cikël, duke u përpjekur t’u mbushë mendjen shqiptarëve se Perëndimi nuk e kupton situatën në Shqipëri.

Brenda një muaji, secili zyrtar i lartë perëndimor që është marrë me krizën në Shqipëri, është etiketuar pas zgjidhjeve që ka dhënë, ose si i njëanshëm, ose si i blerë nga Sorosi, ose si të paguar nga droga, ose si të paditur dhe të paaftë, siç po etiketojnë zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit.

Betejën e parë të fortë e bënë kundër ministrit të Jashtëm gjerman të kancelares Merkel, i cili përfaqëson qëndrimin zyrtar të qeverisë së saj. Edhe pse Merkel ja kishte përplasur në fytyrë Bashës, në një takim informal në Maltë, gjatë mbledhjes së Partive Popullore Europiane, ajo dërgoi ministrin e Jashtëm në Tiranë për të zgjidhur krizën, duke e bërë të qartë se bojkoti është vendim i pajustifikuar. Gabriel u shpall pas kësaj, i njëanshëm, socialist, i blerë nga Sorosi e të tjera.

Më pas u bë një përpjekje nga më seriozet e mundshme. Me rekomandim të Ilir Metës u përfshinë në proces Partitë Popullore Europiane dhe Merkel riautorizoi zëvendëspresidetin e Partive Popullore dhe kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Europain, McAllister. Ai erdhi në Shqipëri dhe ofroi paketën McAllister, e cila përmbante një shtyrje të afërt zgjedhjesh, një rikompozim të qeverisë me disa poste teknike që duhet të kthehen në traditë dhe në të ardhmen para zgjedhjeve, dhe votimin në Kuvend të ligjit të vetting-ut.

Paketa u hodh poshtë nga Partia Demokratike dhe McAllister u quajt i painformuar dhe i manipuluar nga socialistët, megjithëse ai qëndroi në takim vetëm me Lulzim Bashën.

Procesi i zgjedhjeve pas kësaj filloi dhe SHBA bëri sot përpjekjen e saj të fundit, me zyrtarin më të lartë të SHBA që mbulon Ballkanin dhe Europën Juglindore, zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit, Hoyt Yee.

Ai i qëndroi në ofertën e tij paketës McAllister dhe propozimeve shtesë që ka bërë Edi Rama pas paketës, të cilat kanë të bëjnë me një zëvendëskryeministër dhe strukturë zgjedhore që të kontrollohet nga opozita.

Ky u sulmua dhe më keq. Përveç epitetit i paditur dhe i paqartë, para takimit, u sulmua dhe si një zyrtar i paaftë që i kishte rënë më qafë Nikolla Gruevskit në Maqedoni, që nuk kishte zgjidhur dot krizën e Kosovës dhe që nuk ja vlente të merrej në konsideratë.

E gjitha kjo sagë refuzimi e PD ndaj Perëndimit nuk ka nevojë për koment, por tregon në mënyrë ironike se PD në vend të “Republikës së Re”, është duke kërkuar një “Perëndim të Ri”, që të kuptojë Republikën e tyre.

Në vend që ata të ishin tani në fushatë dhe t’u shpjegonin njerëzve “Republikën e Re” me Berishën në krye, janë duke u shpjeguar shqiptarëve “Perëndimin e vjetër” që nuk kupton hallet e tyre. Ata kanë kohë që përgojojnë gjermanët e Merkelit që janë të djathtë, por që sipas këtyre, nuk kuptojnë, zyrtarët e Trumpit që janë të djathtë, por të paaftë për t’u informuar e kështu me radhë. Mund të vazhdojnë pafundësisht kështu, duke i bërë gjyqin Perëndimit, por problemi është se Perëndimi është i qartë në rrugën e tij dhe kërkon të bëjë Shqipërinë si Perëndimi, dhe jo Perëndimin si Shqipëria, siç kërkon Lulzim Basha.

/gazetatema.net/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej