Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

U çliruam nga ngatërresa e vetvetes

Nga 27.al 1

Shqipëria si gjithë Europa, u bë fati im politik dhe unë as kam dash ta ndërroj dhe as dua ta ndërroj me diçka tjetër. Për këtë bindje, as do të jem ndonjë ditë kundër vetes dhe për asnjë arsye apo çmim, mbi të nuk do të shkelja” *

Sikur për tre vjet rresht mazhoranca e sotme të mos bllokonte marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria do t’i kishte hapur negociatat me kohë.
Edhe pas një pune kolosale të administratës dhe mbështetjes së partnerëve, nuk ia dolëm ta preknim këtë sukses para 4 Qershorit 2014.

Atë ditë, në Dialogun e Nivelit të Lartë, me një ton përgëzues për punën 8-vjeçare të qeverisë që kishte ikur dhe me inkurajim për punën 8 mujore të qeverisë që kishte ardhur, Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule, bëri publik lajmin e marrjes së statusit të vendit kandidat.

Ka një foto të asaj dite, që edhe po të dua se harroj dot, se e shoh sa herë nëpër portale, ku duket sikur secili është në një dialog të ngatërruar me veten. Një përzierje gjendjesh, nga krenaria boshe, deri te çlirimi i kthjellët, se ajo çka pritej prej vitesh u krye!
Kryeministri është duke bërë foto me celularin e tij, ministrja e Integrimit ka një të qeshur shpërthyese, ndërsa unë jam duke buzëqeshur me kokën mënjanë. Secili nën shkëndijat e veta të ngazëllimit. Kryeministri, sepse zyrtarizimi i statusit të vendit kandidat për në BE, të cilin e vuri baraz me statusin e kryetarit të Qarkut të Fierit, mbërriti në kohën e tij; ministrja e Integrimit, pasi rastisi në kohën e saj; dhe unë, se detyrimet ishin plotësuar në kohën e qeverisë sime. Secili ishte duke i buzëqeshur kohës se vet.
Atë ditë kam kërkuar për herë të parë zyrtarisht që tani Komisioni duhet të nxitonte për çeljen e negociatave. E di që prej aty mori udhë tjerrja e një blasfemie me shumë aktorë, por asnjë ditë, sa herë kam patur mundësi, kudo ku kam qenë, nuk kam rreshtur së kërkuari atë që ndodhi dje.
Rekomandimin per çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Europë. Ky është një lajm i mirë për shqiptarët!

Në këtë sallë e jashtë saj, e kam fjalën për administratën shqiptare, shoqërine civile, kanë kontribuar të gjithë për të arritur tek kjo ditë.

Por, Partisë Demokratike, si partia që ka nisur rrugëtimin e saj 26 vite më parë, me premtim historik të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Europë, i takon të ndjehet natyrisht më e privilegjuar.
Pas tetë vitesh në qeverisje, proceset madhore që nga MSA-ja, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe deri te statusi i vendit kandidat, pse jo dhe pavarësia e Kosovës, kanë vulën e kontributit të kësaj force politike, dhe keto janë procese të denja për krenari kombëtare.

Kam qenë ministre e Integrimit për gati shtatë vjet dhe e kam përjetuar rrugëtimin drejt Bashkimit Europian si shërbimin më të madh ndaj vendit tim. Nuk ka ndryshuar asgje në këtë aspekt as gjatë këtyre viteve në opozitë. Ndaj, e ndjej se me duhet të them disa fjalë për mburrjet, gënjeshtrat dhe tymin që po shoqëron këtë ngjarje.
Integrimi i Shqipërisë në Europë, është një proces i gjatë që shtrihet në kohë përfshin gjithë spektrin politik dhe kalon mandatet e një qeverie.

Si i tillë, nëse duhet të ndjehemi të përfshirë në të, duhet të jemi gjithnjë koherent si kur jemi në pushtet ashtu dhe kur jemi në opozitë. Vetëm kështu do të çlirohemi nga kompleksi se dikush po na e vjedh “procesin” dhe do të ndjehemi të gjithë pjesë e tij.

Është e vërtetë se duke i lënë radhën njëri-tjetrit për pushtet, i kemi lënë njëkohësisht radhën njëri- tjetrit për t’u nderuar apo turpëruar me këtë proces, por jo për vota, por para historisë së shqiptarëve.

Ky është një proces që nuk të jep vota, por të jep dinjitet. Është një proces, që nuk të jep merita personale, por lodhje, emocion e të stërvit dashurinë e dhimbshme që një njeri normal duhet të ketë për vendin e tij. Është një proces që gënjeshtarit i nxjerr lakuriq patetizmin dhe vetëkrekosjen.

Kushdo që ka punuar qoftë edhe një ditë me të e kupton se sa vështirë është të japësh llogari, si për arritjet, edhe për problemet e vendit tënd.

Është një proces, për të cilin shqiptarët nuk të shpërblejnë me vota, por të shpërblejnë vetëm me përbuzje e braktisje nëse ua vonon këtë proces.

E duam Shqipërinë si gjithë Europa, është ëndërra e tyre dhe ne jemi shërbëtorët e tyre në këtë proces.

Ata janë arkitektët e saj, kurse ne jemi zbatuesit teknikë.

Ata janë subjekti i këtij procesi, ne jemi aktorët që duhet t’ua bëjmë atyre të prekshëm procesin.

Askush nuk bëhet hero në këtë vend, pse ka shërbyer për këtë proces. Përkundrazi, rrezikon të bëhet armik, nëse prish apo bllokon atë.

Ka politikanë kolegë në këtë sallë dhe jashtë saj, që kanë hyrë në politikë për shkak të militantizmit konseguent partiak. Ka të tjerë që kanë hyrë për shkak se janë biznesemenë apo artistë. Ka të tjerë që i ka seleksionuar debati politik dhe i ka bërë të pëlqyer nga populli si oratorë. Ka nacionalistë dhe përfaqësues pakicash që duan të perfaqësohen me të drejtë. Të gjithë janë në politikë për një arsye.

Unë jam në politikë dhe kam zgjedhur Partine Demokratike për këtë bindje: E dua Shqipërinë si gjithë Europa. Ky u bë fati im politik dhe unë as kam dash ta ndërroj dhe as dua ta ndërroj me diçka tjetër.
Për këtë bindje, as do të jem ndonjë ditë kundër vetes dhe për asnjë arsye apo çmim, mbi të nuk do të shkelja. Dhe kjo e ka një çmim. Çmimin e respektit ndaj vetes.

Si një proces mbipartiak, të cilit i kanë shërbyer gjithë partitë nga pak, ai të detyron të jesh realiste, mbipartiake dhe larg emocioneve politike që duan ta përdorin atë.
E di që kjo nuk kënaq shumë syresh, por të bën më të përkushtuar ndaj bindjes tënde. Të bën të jesh e sulmuar, kur je në qeveri, pasi ngjall zilinë e kundërshtarëve që për Europën janë po aq xhelozë, sa dhe për një dashuri drithëronjëse, por po aq të bëka të sulmuar, kur je në opozitë dhe tregon se e do po njëlloj këtë rrugëtim.

E përsëris se procesi i Integrimit në Europë nuk të jep vota, nuk i jep vota as PD, as PS, as LSI qe e ka në emër, pasi shqiptarët na e konsiderojnë këtë si një detyrim që kemi ndaj tyre për t’u dhënë shpresë dhe jo si një dhuratë për te cilën duhet të na shpërblejnë me vota.

As Edi Rama, as Lulzim Basha dhe askush tjetër nesër, që mund të ketë fatin të fusë Shqipërinë në Europë, nuk ka për t’u shpërblyer nga votuesit shqiptarë me dy vota më shumë apo më pak për këtë gjë, por do të ndëshkohet menjëherë nga ata, nëse bën ndonjë hap kundër këtij procesi.
E bindur për këtë nga përvoja ime në këtë proces, në pushtet dhe si kryetare e Komisionit të Integrimit për tre vjet në opozitë, ju kërkoj të çliroheni të gjithë nga ankthi që keni se mos ia vidhni njëri – tjetrit këtë proces.
Nuk është i yni, është i shqiptarëve.

Nuk na e dinë për nder pse po bëjmë detyrën, por do na e quajnë krim nëse nuk e bëjmë.
Te ben njesoj me faj edhe po ta bllokosh politikisht edhe po te mos besh asgje per ta ndihmuar te levize.
Te dyja per mua jane njesoj te demshme. Te dyja jane ligesi politike qe lene peng shqiptaret per perfitime partiake.

Ky proces vlen për t’u dhënë shpresë shqiptarëve, dhe për t’i mbajtur ata të orientuar drejt Perëndimit, si një objektiv drejt fatit të tyre historik.
Integrimi në Bashkimin Evropian, është e vetmja dritë në fund të tunelit që u jep shpresë shqiptarëve se duhet të besojnë ende tek politika.
Se kundershtari nuk luftohet duke u bërë si ai. Unë nuk do t’ia falja vetes sot, të veproja si Edi Rama dje! Nuk ka asgje më të rëndësishme, më jetike, më garantuese, më shpresëndërtuese, më standart vendosëse, për shqiptarët se sa mos ndërprerja e rrugëtimit të tyre Europian.
Kushdo ka punuar për të hedhur , themelet e parimeve të demokracisë ne këte vend bazuar në vlerat europiane, duhet të verë në punë pushtetin e ndërgjegjes si shqiptar.

* Ne nuk jemi një vend qe qeveriset normalisht.
* Ne nuk jemi nje vend ku zbatohet ligji, ndaj ky është kusht per çelje negociatash.
* Ne nuk jemi nje vend që kemi respekt për votën. Madje, e vjedhim pa u ndjerë në faj.
* Ne nuk jemi nje vend me institucione funksionale e demokratike.
* Ne nuk jemi nje vend ku liderat politike mbajnë fjalën.
* Ne jemi një vend ku papunësia eshte në rritje, ku mungesa e zhvillimit ekonomik con në rritje të shifrave të emigracionit të paligjshëm dhe kërkesave për azil, që janë kthyer në bezdinë më të madhe për vendet anëtare
* Ne jemi nje vend që dënojmë të pamundurin që punon në parcelat e drogës dhe kriminelin e sjellim në parlament.
* Por jemi një vend që prej dje ka një shanc më të madh të monitorohet për çdo pikë nga ato me lart, në detaje.
* Jemi gjithashtu para një kushti të patjetërsueshëm të vendosur nga Komisioni, reformën në drejtësi dhe vecanërisht Vettingun. Pa rezultate të prekshme nuk do të ketë hapje të negociatave.

Keto jane standard europiane, e pikërisht për këto Europa është i vetmi destin i sigurt yni.

Nëse ndonjë fanatik intrigash dhe hargalisës fjalësh, e quan qëndrimin tim të pandryshuar për ecjen para të këtij procesi si shkelje të parimeve të demokratit të denjë apo partikut ushtar, nje blasfemi, nuk kam ç’i them, vetëm durim: të gjitha të vërtetat e mëdha nisin si blasfemi.

Hapjen e negociatave e shoh si mundësinë më të mirë për ta bërë Shqipërinë të jetueshme, e shoh si mjetin e vetëm për të shkurtuar kohën e zullumeve të një qeverie, për të zvogëluar mundësinë e grabitjes e vjedhjes që i bëhet shqiptareve çdo ditë dhe si një garant të respektimit të shtetit të së drejtës dhe parimeve të demokracisë.

Po të mos ishte ky objektiv, aq keq sa kemi qeverisur 25 vjet, dhe aq shumë sa e kemi vonuar këtë proces, sot ndoshta do ishim shpërbërë dhe si parlament edhe si shtet, prej anarkisë.
Ndaj unë, ç’kam bërë prej 10 vitesh, do të vazhdoj ta bëj e ta them çdo ditë, sepse ky është vendi im. Nje vend me identitet Europian , jo identitet partiak.

Kudo të jem, këtë vend do ta prezantoj siç e dua të jetë.

Mos u lodhni kot! Asnjë nga ju që murin e keni në kokë, nuk më bëni të ndjehem ligsht se jam aty ku e nisa! E dua Shqipërinë si gjithë Europa!
Se siç thoshte dikush, patriot është ai që me besnikëri i shërben atdheut që ëndërron të ketë, dhe jo atij atdheu që sheh kur zgjohet në mëngjes.

* Fjalim i mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë

Komente (1)

  1. Bravo, shume fjalim i dale nga zemra e nje patrioteje te vertete shqiptare.
    Keto lloj fryme duhet te mbizoterojne fjalimet e deputeteve tane.
    Dhe mos kujtoni ju politikane se populli yne nuk ka nuhatje per te verteten qe quhet patriotizem, nje fjale e huaj kjo dhe keqperdorur nga ju ne pushtet me mijra here, nje plage akoma e hapur qe nga koha e rregjimit te komunizmit qe kishin per atdhe vetem idealin e partise se tyre dhe jo te popullit nga linden.
    Shpejt ka per te ikur dhe koha e bejlereve komuniste qe sundojne akoma ne Shqiperi.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>