Ka than' i moçmi: 

"Nuk mendohemi se po mbytet kombi, por shikojmë se mos i lagen çorapet"

                                                                                       -Fan Noli

Tropojë-Shteti shurdh/ Genti vret veten në ujërat e Valbonës

Nga admin 0

Nga Pranvera Vatoci

Disa ditë më parë jo vetëm në statusin tim, por në shumë media e rrjete sociale konstatova dhe paralajmërova për një pragtragjedi të nëntë familjeve ne Bajram Curri, të cilëve ju shkrumbuan banesat.

Në vijim si e ndjekur nga një parandjenjë e trishtueshme po në media, si dhe në zyra shteti ju kërkova drejtpërdrejtë pushtetarëve vendorë e qendrorë dhe kujtdo që të ndihmonin dhe të mos injoronin këtë situatë alarmante në kulmin e një dimri tejet të vështirë. Por, ndihma e pushtetit jo vetëm nuk erdhi, por as dhe interes e solidaritet verbal a formal prej tyre.

Në shurdhërinë e pushtetit, në tunelin e zi pa dalje të mbijetesës Gentjan Zalli, njëri nga kryefamiljarët e dëmtuar zgjodhi rrugën fatale të vetëflijimit. Nuk gjej fjalë për të përkufizuar dhimbjen time dhe të qytetit tim. Nuk gjej po ashtu fraza mallkimi për ata që qeverisin si bajraktarë në Tropojë, a thua se nuk jane të paguar e zgjedhur që të shërbejnë, por për t’u majmëruar si derrat me koncentrat, pikërisht me taksat e Gentit të ndjerë.

Ky rast për mua nuk duhet t’i faturohet fatkeqësisë, por papërgjegjshmërisë dhe si qytetare u kërkoj organeve kompetente të kallzojnë penalisht ata që me mosveprimin e tyre shkaktuan humbjen e një jete njerëzore dhe çdo minute që kalon po rrezikojnë dhjetëra të tjerë. Genti vdiq. Ai u flijua në ujin e akullt të Valbonës duke lënë pas jo vetëm dhimbje, por dhe pikëpyetjen: Ku jemi e ku po shkojmë me këta pushtetarë arrogantë që fodullëku e etja për përfitim ju ka atrofizuar jo vetëm detyrimet shtetërore, por dhe gjithë ndjenjat njerëzore.

Lamtumirë Genti e shpirti yt pushoftë në paqen që nuk e gjete mbi dheun e vendlindjes! Trishtimi për ty shumëfishohet, teksa në vitin 2017 ti na solle të freskët bash në zemër të vendit tragjedinë migjeniane të apoteozës së misrit e më keq akoma atë të vdekjes. Ndaj sot duke mos pasur mundësi të tjera unë protestoj e akuzoj si dikur Migjeni me fjalinë trishtuese kundër pushtetarëve: “Merreni këtë shtatore…”.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej