Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Tragjikja e elitës politike shqiptare në Maqedoni

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla

Zgjedhjet që u mbajtën në Maqedoni më 11 dhjetor 2016, treguan edhe njëherë tragjiken e elitës së politikanëve shqiptarë, të cilët pjesa në shumicë dërrmuese janë nën nivelin e mesatares intelektuale. Kanë nga një diplomë të merituar të shkollës së mesme e nga një diplomë universiteti të pamerituar. Këto zgjedhje vërtetuan edhe një herë se kryeneçësia është virusi që përçan shqiptarët, parë kjo në mosbashkimin e opozitës, e cila po të ndodhte do fitonin të paktën 12 deputetë.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, kur u vu re se shqiptarët morën 20 deputetë duke humbur 7, filluan misionarët andej dhe këtej kufirit që paguhen rëndshëm nga partitë politike dhe organizatat e huaja, të çirren se fajin për uljen e numrit të deputetëve e kanë partitë e reja, të cilat përçanë votën shqiptare. Por, askush nga komentatorët e Tiranës dhe Prishtinës nuk duhet të fajësojë votuesit shqiptarë në Maqedoni për uljen e numrit të ligjvënësve shqiptarë dhe votën e dhënë për LSDM. Prej kaq vitesh “misionarët” e Tiranës dhe Prishtinës vetëm u kanë bërë dëm shqiptarëve në Maqedoni duke i shitur për pak euro. Shqiptarët e Maqedonisë votuan si fëmija që babai e harron dhe njerku kujdeset më shumë se i ati. Përderisa nuk e njihni shpirtin mikpritës, miqësor, paqedashës dhe atdhedashës të popullit të thjeshtë, askush se ka të drejtën t’i akuzojë për tradhti kombëtare. Tradhtare është klasa politike shqiptare si këtej dhe andej kufirit, e cila prej kaq motesh bën tregti me Çështjen Kombëtare.

Shqiptarët e Maqedonisë për ndryshim nga shqiptarët e Tiranës dhe Prishtinës nuk janë agresivë, luftënxitës apo të padëgjueshëm ndaj vëllezërve më të mëdhenj, atij tiranas dhe prishtinas. Këtë herë shqiptarët e Maqedonisë votuan kundër së keqes, kundër dhunës dhe kërcënimeve që prej shumë vitesh u ka bërë qeveria e poshtër VMRO-BDI dhe indiferentizmi i PDSH. Kuptohet që është vështirë të rrëzohet brenda natës BDI, partia e cila prej vitit 2002 është pjesë e qeverive të Maqedonisë në pushtetin qendror dhe vendor.

Me votën e tyre shqipatrët në drejtim të LSDM, treguan se ata mund të votojnë edhe partitë sllavo-maqedone, nëse këto forca politike ofrojnë më shumë paqe, rritje të ekonomisë dhe stabilitet të shtetit për të ardhmen e qytetarëve. Dikush mund t’i akuzojë këta votues për “tradhëti kombëtare”, por askush nuk ka të drejtë të akuzojë votuesit shqiptarë të LSDM, kur shikon pas historinë tragjike të qeverisë VMRO-BDI, e cila ka vrarë, burgosur dhe rrënuar ekonomikisht shqiptarët. Skenari i Brodecit të gjithë e dinë se ishte skenar i VMRO-së, BDI-së dhe Beogradit. Këtë s’e them unë, por e ka thënë qysh në atë kohë kryeministri i Kosovës, Agim Çejku dhe kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi. Botimi dhe ribotimi i Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave të Maqedonisë që i nxirrte shqiptarët ardhacakë dhe njerëz të këqinj, është një tjetër vepër ogurzezë për t’u shënuar. Montimi i rastit të Mostrës, ku skenarin e bëri VMRO me dijeni të BDI-së. Vrasjet e pa zbardhura të Isa Likës, Harun Aliut e shumë shqiptarëve të tjerë rëndojnë mbi partinë shqiptare BDI. Skenari i Komunovës ka për regjizor VMRO-BDI, sepse është vërtetuar nga shërbimet e huaja që kjo tragjedi u gatua nga dy partitë qeverisëse për të mbajtur sa më gjatë pushtetin, duke përhapur panik tek qytetarët. Por, për fatin e mirë falë shërbimeve të huaja, dobiçi u mbeti në derë. Për shumë vjet partia shqiptare në pushtet, BDI miratoi ligje antishqiptare qoftë kundër gjuhës shqipe, kundër Abetares, kundër flamurit kombëtar, të cilin e kanë shëmtuar dhe zvogëluar me ligj deri në 30 centimetër. Me kartonët e BDI-së u ngritën përmendoret Shkupi 2014, pa folur për tjetërsimin e historisë krenare shqiptare në Maqedoni.

Përgjimet e jashtëligjshme të bërë nga qeveria VMRO-BDI, tregojnë se jetët e qytetarëve në Maqedoni vëzhgoheshin në çdo aspekt të privatësisë. Këto përgjime nxorën në pah edhe jetën private të drejtuesve të lartë të BDI, ku vrima e çelësit rrëfen për epshet seksuale midis tyre, lesbike, homoseksuale e kështu me radhë. Nëse këto përgjime do i tregohen masës së gjerë të popullit do ishte një turp i madh për klasën politike shqiptare, sepse janë përgjuar edhe drejtues të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Për disa vjet bizneset, sidomos ata shqiptare u gjobitën rëndë nga inspektorët e shtetit për të mbushur arkën partiake. Kujtojmë gjobat nga 3.000-200 mijë euro. PDSH si parti opozitare me heshtjen e saj u bë palë me qeverisjen e keqe, ku fjalori i ferrarit të mbrapshtë çoji në tkurrjen historike të kësaj force politike.

Me pak fjalë të gjithë këto të zeza prodhuan formimin e partive të reja opozitare dhe e nisën votën shqiptare në drejtim të LSDM. Prandaj, nuk duhet faqësuar asnjë qytetar që votoi LSDM apo që nuk doli për të votuar a votoi BESA-n dhe “Aleancën për Shqiptarët”.

Vota e 11 dhjetorit e shqiptarëve në Maqedoni në humbjen e numrit të deputetëve shqiptarë dhe në forcimin e LSDM ka anët e saja pozitive, sepse i prish rehatinë pushtetit absolut afatgjatë të BDI-së dhe toolovit heshtjen e opozitës së PDSH-së. Tani partitë shqiptare BDI, BESA, “Aleanca Shqiptare” dhe PDSH, kanë mundësinë e artë që të tregohen të mençur dhe kombëtarë duke bashkuar votat e tyre për qeverinë e LSDM-së, por me kushtet si: realizimi i Marrëveshjes së Ohrit (dy gjuhësia, flamuri, të drejtat e barabarta kombëtare dhe qytetare), pension për familjet e dëshmorëve, rikthimi i librit të Abetares. Të gjitha këto të jetësohen brenda një viti. Më tej, ndërrimi i emrit kushtetues, flamuri dhe Kushtetuta e Maqedonisë, ku qytetarët do jenë të barabartë si sllavo-maqedonët, shqiptarët, serbët, turqit, vllehët, romët e të tjerët. Duhet ngulmuar patjetër në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO brenda tre muajve dhe hapja e bisedimeve për anëtarësimin në BE. Fati i shqiptarëve të Maqedonisë nuk është më në duar tëpartive vasale shqiptare, por tek vota e tyre që ia garanton ligji, ndërsa fati i ekzistencës dhe përparimit të Maqedonisë ndodhet këtë herë në duart e partive shqiptare.

E pra, të shpresojmë që do të bëjnë historinë të gjithë bashkë këtë herë BDI, BESA, Aleanca dhe PDSH duke lënë mënjanë për pak kohë mëritë personale. Prandaj, askush s’e ka të drejtën të akuzojë shqiptarët në Maqedoni për “tradhti kombëtare”, nëse kanë votuar LSDM-në dhe është ulur numri i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë, sepse shqiptarët e Maqedonisë vërtetë janë të urtë e të heshtur përpara llafazanëve të Tiranës e Prishtinës, por janë të mençur dhe punëtorë. Ju rikujtojmë se ishin shqiptarët e Maqedonisë ata që kanë mbajtur peshën kombëtare që nga organizimi i Kongresit të Manastirit, Ministrinë e Mbrojtjes së qeverisë së parë të Ismail Qemal Vlorës, mbajtën peshën ekonomike të pas viteve 1990 në Shqipëri, si dhe të 1997 e luftën e Kosovës. Prandaj, kurkush nuk ka të drejtë të nënvlerësojë këtë popull me virtyte të larta morale, humane dhe kombëtare.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej