Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Toka e thesarit…

Nga 27.al 0

Nga Marin Mema

Nën këmbë, aty ku të gjithë shkelim çdo ditë, ku kalojmë, ku ikim e vijmë pa kuptuar, Shqipëria fsheh ende vlera të jashtëzakonshme të identitetit të saj. Janë zona të tëra që heshtin pa mundur të flasin me vlerat e tyre të vërteta.

Diku humbin, fshihen, diku vdesin pa u zbuluar kurrë, siç është edhe rasti i fshatit Qinam në Kolonjë, një zonë me vlera të jashtëzakonshme, që sot njihet pak ose aspak.

Në zonën ngjitur me fshatin, 20 e kusur vjet më parë, gjatë disa gërmimeve krejt rastësore për të nxjerrë gurë, u gjet një thesar. Ena e hekurt ishte e mbushur me monedha të prera në ishullin e Eginit në Greqi e datonin në shekullin VI dhe V para erës sonë. Disa qindra të tilla u morën për t’u ekspozuar në Muzeun Arkeologjik, ku gjenden ende sot, nën ruajtje dhe masa të rrepta sigurie për shkak të vlerës së tyre.

Shumica e lidhën gjetjen e këtij thesari me depozitimin e tij rastësor nga ndonjë tregtar i kohës që lëvizte përgjatë aksit antik që lidhte Dangëllinë me Kosturin e zona të tjera. Ndërkohë që po në këto pjesë shumë mendojnë se ka pasur edhe përplasje e beteja ushtarake mes romakëve dhe maqedonëve të lashtë. Por, a ishte vërtet ky thesar diçka rastësore apo pas tij fshihet më shumë?

Arkeologët  mendojnë se e gjithë Kolonja, përkundër vëmendjes së munguar, ka dhënë fakte të qarta për historinë antike të saj, duke nisur nga Kalaja e Hollmit, nga mori emrin edhe thesari, një pjesë e së cilës është ilire dhe pjesa tjetër romake.

Fshati Qinam kundron për së afërti të gjithë këtë zonë. Hera-herës duket i shkëputur nga historia e tij, që shpesh thuajse kalon edhe kufijtë e legjendave e në qofshin kështu ato janë legjenda reale e mjafton të rrugëtosh nëpër rrugicat e fshatit për ta kuptuar.

Nuk është e vështirë të gjesh edhe sot në fshat monedha të thesarit të Eginës. Banorët nuk duan të identifikohen, megjithëse të tilla, siç thonë, mund të ketë kushdo që ka punuar tokën e tij në këtë zonë. Do të donim të tregonim vetëm dy prej tyre sa për të krijuar një ide. Njëra është e ashtuquajtura monedhë me shenjën e breshkës së ujit, e cila daton, sipas ekspertëve, në shekullin VI para erës sonë, ndërsa tjetra, ajo me breshkën e tokës, i përket gjysmës së dytë të shekullit IV para erës sonë. Nën zë banorët të thonë se në këtë zonë nuk ka qenë vetëm një enë me monedha të Eginës, por disa të tilla.

Fshati jep një përgjigje edhe për më dyshuesit, që mendojnë se monedhat mund të jenë marrë nga poçja që sot gjendet në muze; nëntoka e Qinamit dhe e gjithë zonës përreth, Milec, Shtikë, Butkë, Qafëzez, ku janë zbuluar mbi 30 tuma, vendbanime antike e kala, fsheh ende shumë.

Sot, gjëja më rëndomtë në fshat është të gjesh monedha. Por, jo vetëm ato të thesarit të Eginës, që e bën edhe më mistike këtë histori. Monedhat janë të shumta e të ndryshme e flasin për një zinxhir historik që nga shekulli VI para erës sonë deri në atë VI të erës sonë, në kohën e dyndjeve sllavo-avare. Në fshat mund të gjesh sot shumë të tilla, në prerje të ndryshme, por që i bashkon figura e Aleksandrit të Madh, por ka edhe të tjera vështirë të dallueshme me sy të lirë.

Për fshatin e patriotit të madh Hasan Qinami, i cili i bëri ballë në mënyra e momente të ndryshme dërgatave e pretendimeve greke, mund të flasësh shumë e më shumë, jo thjesht për banorët e paqëm e punëtorë, jo thjesht për historinë e mbushur me monedha të periudhave të ndryshme, por edhe për gjetje të tjera arkeologjike. Ka shumë të tilla që banorët i kanë zbuluar rastësisht në tokat e tyre, si një unazë mesjetare bronzi që mendohet se daton në shekullin IX deri në shekullin XI. Këto gjetje nuk janë të izoluara apo të gjetura nga 1, 2 apo 10 banorë, por nga shumica dërrmuese e tyre.

Ka edhe më shumë në Qinam, si këto grupe karficash, gjilpërash, vëthë, maja shigjetash e shumëçka tjetër të periudhës qytetare ilire mes shekujve IV-I para erës sonë.

Historia e Qinamit është simbol i historisë së Shqipërisë i lëvizjeve të shumta, dërgatave të pafundme ushtarake, pushtimeve, vendosjeve dhe mbivendosjeve të kulturave, rrugëve të vjetra tregtare e themeleve të kudondodhura ilire e mbi të gjitha e historisë moderne shqiptare, që vlera të tilla nuk di t’i ruajë, nuk di t’i promovojë, shpluhurosë apo kthejë në resurse turistike. Deri sot pasuri të tilla identitare, që janë vlerë për muzeumet botërore, për koleksionet private të pasanikëve të huaj, kanë shkuar e dalë pafund në Shqipëri si mall pa zot.

Çfarë fshihet nën tokën e Qinamit e zonës përreth? Këtë askush nuk mund ta thotë e megjithatë faktet flasin se diçka fle në pritje për t’u zbuluar…

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej